Përzgjedhësi i kombëtares së Italisë, Gennaro Gattuso ka folur në konferencë për media në prag të ndeshjeve kualifikuese të Botërorit kundër Estonisë dhe Izraelit.
Sfida kundër Izraelit do të luhet në Udine, dhe ishte kryebashkiaku i këtij qyteti që ka kërkuar anulimin e përballjes, duke vënë theksin në luftën në Gaza.
Për këtë çështje një reagim ka pasur edhe nga selektori i "azzurrëve".
"Unë jam një njeri i paqes dhe më dhemb zemra kur shoh civilë e fëmijë të goditur, më dhemb zemra. Ne megjithatë bëjmë një punë, edhe Federata Italiane e Futbollit (FIGC) po punon shumë për të gjetur zgjidhje dhe për të zhvilluar një ndeshje perfekte në Udine edhe nga pikëpamja e sigurisë. Detyra jonë është të bëjmë punën tonë, por shpresoj që të arrihet një zgjidhje paqeje jo vetëm në Izrael. Është një gjë që prek në zemër dhe dhemb në zemër", deklaroi Gattuso.
Italia pret më 5 shtator Estoninë në Bergamo, e pastaj më 8 shtator luan kundër Izraelit në Udine.
●●●
SZSHKRIMI NGA
Sh Z
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.