Kombëtarja e Kosovës U16 ka shënuar fitoren e dytë në kuadër të turneut “UEFA Development U16” që po mbahet në Tiranë.
Pas fitores ndaj San Marinos, Dardanët U-16 kanë triumfuar edhe ndaj Shqipërisë.
Ashtu sikurse në ndeshjen kundër San Marinos, edhe kësaj radhe seria e penalltive ishte përcaktuese për fituesin.
Ndeshja në kohën e rregullt u mbyll baras 2:2, ndonëse Kosova kishte epërsi prej dy golash.
Omer Shala kaloi Dardanët në epërsi në minutën e 13-të.
Epërsinë në 2:0 e shtoi Rrezon Ademi, në minutën e 53-të.
Megjithatë, në minutat e fundit Shqipëria arriti të barazojë shifrat me dy gola të shpejtë, në minutat 85-të dhe 87-të nga penalltia, njofton Federata e Futbollit të Kosovës transmeton Klankosova.tv
Kësisoj, fituesi i ndeshjes u përcaktua në serinë e penalltive, ku spikati portieri dardan, Nar Bajrami, me tri pritje të jashtëzakonshme, duke siguruar triumfin e Kosovës. Në ndeshjen e fundit në kuadër të këtij turneu Kosova do të ballafaqohet me Belizen.
●●●
ASHKRIMI NGA
albert
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.