Paraja sjell aty ku as turjela nuk mundet.
Është kjo një thënie e popullarizuar në gjuhën serbe, pesha, vlera dhe aktualiteti i të së cilës duket që do të vjen në shprehje përditë e më shumë në Serbi dhe në pushtetin e saj të personifikuar me presidentin Aleksandar Vuçiq.
Dihet që të gjitha thirrjet dhe përpjekjet e SHBA-së dhe të BE-së drejtuar Beogradit zyrtar, që nga shkurti i vitit 2022 (kur nisi agresioni i Rusisë mbi Ukrainën) të përcaktohet përfundimisht se me kë është Serbia, në këtë ri-rreshtimin gjeo-politik në Evropë, dhe madje, të nisë të aplikojë sanksionet ndaj Rusisë, kanë hasur në vesh të shurdhër.
Presidenti i Serbisë madje deri tash, vazhdoi të aplikojë politikën e tij ‘edhe me Perëndimin (SHBA dhe BE), dhe me Lindjen (Rusi dhe Kinë)’, e cila gjë në të vërtetë, në variantin më të mirë të interpretimit (për te vet), nuk tejkalon atë shpjegimin që bëhet fjalë për blerje kohe.
Këtë kohë Vuçiq, e ka blerë edhe duke i shitur armë Ukrainës (përmes shteteve të treta), dhe duke kalkuluar që Moska nuk do të prishet me te për këtë punë, për shkak të interesit të Rusisë për të qenë e pranishme në Ballkan përmes Serbisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës (entitetit serb në këtë shtet).
Rusia nuk ka aleatë të tjerë në Ballkan.
Sidoqoftë, në vitet e fundit nuk i kanë bërë punë Perëndimit presionet e shumëfishta dhe të shumëllojshme ndaj pushtetit të presidentit Vuçiq që ai të kthehet me ka krejt (si thuhet), kah SHBA-ja dhe BE-ja, dhe atë, pos tjerash, duke dëshmuar që e ka ndërmend të përmbyllë dialogun me Kosovën për normalizimin e marrëdhënieve në mes të këtyre dy shteteve, pastaj, duke respektuar Agjendën e reformave të koordinuar me BE-në, duke e kthyer Serbinë në një shtet që kontribon në mënyrë thelbësore në stabilizimin afatgjatë të Ballkanit Perëndimor (e jo anasjelltas, siç është realiteti tash e disa vjet).
Detyrat e Serbisë në këtë kontekst përbëjnë një Listë të gjatë të dëshirave të Washingtonit dhe Brukselit, e cila njëkohësisht, është edhe Listë e dështimeve të pushtetit të Serbisë.
Por duket që po skadon koha kur Serbia e Vuçiqit ka mundur t’i shmanget, me dredhitë e shumëfishta, presionit politik dhe diplomatik të Perëndimit. Sepse, tash e tutje, do të hyjë në fuqi ai presioni i parasë (apo, i 'turjelës financiare'), i cili mund ta mbështetë për muri Beogradin zyrtar dhe nëse nuk përfillet, për më shumë, mund të sjellë fundin e këtij pushteti, i cili edhe ashtu po përballet me një presion të pashoq të Lëvizjes studentore.
Gjithçka nisi, në këtë kontekst, me sanksionet e Administratës amerikane ndaj NIS-t (Industrisë së naftës në Serbi), pasiqë pronarë të hises kryesore (të shumicës së aksioneve), janë kompanitë ruse.
Shtegdalja e vetme për Vuçiqin dhe pushtetin e tij është që hisja ruse të bie nën 50%, teksa afati kohor për ta bërë këtë gjë është fundi i vitit. Në të kundërtën, Beogradi do të përballet me rritjen enorme të harxhimeve për të siguruar lëndën djegëse për ekonomi dhe për qytetarë.
Njëkohësisht, Vuçiq ka telashe për të siguruar një çmim të volitshëm për furnizimin me gaz nga rusët, pas skadimit të kontratës trevjeçare.
Por lajmi më i keq atij i mëbërriti të hënën nga Brukseli, pas vendimit të BE-së që jo më larg se me 1 janar të vitit 2027, Evropa të lirohet në plotëni nga furnizmi me gazin rus.
Edhe këtu kemi të bëjmë me ndikimin e politikës amerikane karshi furnizimit me naftë dhe me gaz nga Rusia.
Bullgaria tashmë ka paralajmëruar që nuk do të mundësojë kalimin e gazit rus përmes territorit të saj kah Serbia.
Reagimet e pushtetarëve serbë pas lajmeve të djeshme janë dyzim i shqetësimit të madh dhe të panikut, sepse sipas deklaratave të tyre, realisht, Serbia nuk ka si t’i shpëtojë situatës/krizës në ardhje e sipër, pas një rritjeje marramendëse të kostove financiare, të cilat megjithatë, nuk mund t’i garantojnë siguri energjetike, pa të cilën nuk ka kurrfarë sigurie të mirëfilltë.
Ndërprerja e varëshmërisë enegjetike nga Rusia duket si opsion i pashmangshëm për pushtetin e Serbisë, nëse Vuçiq dëshiron t’i shpëtojë rebelimit social në këtë shtet dhe madje, humbjes së pushtetit.
Nuk ka tjetër.
●●●
KKSHKRIMI NGA
Klan Kosova
Editorial nga Klan Kosova — ndjek kolumne dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.