Vepra e Tukididit, historianit namëmadh të Greqisë antike, ‘Lufta e Peleponezit’, ka luajtur rol në politikën perëndimore me aq zell dhe ndikim sa ‘Iliada’ e Homerit në kulturën dhe mbamendjen e Qytetërimit perëndimor. Mund të thuhet edhe që ky libër i Tukididit është vepra të cilës politikanët në Perëndim (dhe jo vetëm, ia vlenë të shtohet këtu), duhet t’i kthehen sa më shpesh që munden, njëlloj si ’Princit’ të Niccolo Machiavellit.
Ka disa vite prej se kur emri i Tukididit ka nisur të qarkullojë në analizat e instancave më relevante politike dhe analitike në kryeqendrat e Perëndimit, në përpjekje për të shpjeguar raportin problematik dhe thuaja konfliktuoz (politik) në mes të Amerikës dhe Kinës.
Kjo marrëdhënie krahasohet, në këto analiza, me atë të Athinës dhe Spartës, e cila çoi te një luftë katastrofale për Greqinë antike që pati si pasojë rënien e këtij Qytetërimi. Konteksti këtu shquhet me një koncept që është krijuar nga shkencëtari politik Graham Allison, e cili tashmë është i njohur gjithandej si: ‘Gracka e Tukididit’.
Sipas Allisonit, ‘Gracka e Tukididit’, shfaq mosmarrëveshjet në mes të një shteti të fuqishëm dhe tjetrit, në ngritje e sipër, që mund të çojë deri te shpërthimi i luftës në mes tyre.Kështu ka qenë në antikë në mes të Athinës, në forcim e sipër dhe Spartës, e cila tashmë ishte fuqi rajonale.
Në rrethanat e tanishme, Kina mund të kualifikohet si Athina e ditëve të sotit, e Amerika si Sparta.
Natyrisht, këtu njohësit e qytetërimit amerikan mund të thonë që në të vërtetë Amerika është dyzim i Athinës, Spartës dhe Romës (perandorake), teksa Kina ka qenë dhe mbetet Kinë, me rrënjët e thella qytetëruse mijavjetëshe.
Marrëdhëniet në mes të SHBA-së dhe Kinës, s’do mend që do të jenë tepër të rëndësishme, në mes edhe vendimtare për Rendin e ri botëror (ai i vjetri dha shpirt atje në shkurtin e vitit 2022, pas fillimit të agresionit të Rusisë mbi Ukrainën), i cili është në krijim e sipër.
Nëse këto dy shtete të mëdha do të rrinë në paqe, atëherë rreziku i një lufte të re të përmasave të atyre dy botëroreve, do të jetë fare i vogël. Por, ashtu si Athina dhe Sparta, siç na kallëzon Tukididi, e kanë pasë thuaja të pamundur të bashkëjetojnë dhe të shmangin luftën (pikërisht për shkak të rivalitetit), në një situatë përafërsisht të njëjtë janë edhe SHBA-ja dhe Kina tani.
Kjo, megjithatë, nuk do të thotë që konflikti i armatosur në mes të këtyre dy gjigantëve në Botë është i domosdoshëm dhe i pashmangshëm.
Mundësitë, në këtë kohën e tanishme, për bashkëpunim dobiprurës për te dy palët, janë enorme, por edhe rreziqet nuk janë më të vogla.
Në anën tjetër, na kujtohet te ’Lufta e Peleponezit’ e Tukididit, që edhe Athina edhe Sparta, për t’i dhënë epilog të suksesshëm luftës së tyre, gëlltisnin shtetet e vogla të njërës dhe tjetrës palë, në mënyrë të fuqizimit të pozicionit të tyre.
Këtu pastaj vjen në shprehje ajo thënia e paharrueshme e historianit helen, sipas të së cilës e drejta, siç ecën Bota, është çështje në diskutim vetëm midis të barabartëve në pushtet, ndërsa të fortët bëjnë atë që munden dhe të dobëtit vuajnë atë që duhet
Mbase nuk ka fjali që i rri më mirë përshkrimit të gjendjes në Botë në fillim të këtij viti (2026).
Tukididi njihet edhe me një mendim tjetër nga vepra e tij ‘Lufta e Peleponezit’: “Paqja është një armëpushim në një luftë që përherë vazhdon. Është ky një definicion i paqes që të rrëqethë dhe madje, të tronditë, veçmas kur të kihen parasysh të gjitha zhvillimet e viteve të fundit, të cilat për shumë kë mund të jenë një prelud në një luftë të madhe dhe tragjike.
Mësimet e Tukididi do të duhej të përfilleshin prej të gjithë faktorëve relevantë në Botë.
Si edhe prej atyre që mund të pësojnë nga përplasja e shteteve të fuqishme.
●●●
VRSHKRIMI NGA
Ve Ra
Editorial nga Klan Kosova — ndjek kolumne dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.