Në vigjilje të ndeshjes së madhe ndaj Milanit në Allianz Stadium (ora 20:45), trajneri i Juventusit, Igor Tudor, foli me përulësi dhe ambicie gjatë konferencës për shtyp, duke theksuar se skuadra ka bërë përmirësime dhe se nuk do të ndalet.
“Milan është një skuadër me nivel të lartë, me trajner dhe lojtarë të fortë. Ne luajmë në shtëpi dhe synojmë të bëjmë një ndeshje të bukur. Një përballje që do të tregojë shumë”, tha kroati.
“Ne kemi një identitet të qartë. Prej gjashtë muajsh luajmë në të njëjtin stil. Më intereson që ekipi të bëjë atë që stërvitet, pa u ndikuar nga numrat apo episodet”.
Një prej fragmenteve që tërhoqi vëmendje ishte referenca e tij për Luka Modriqin.
“Me Modriqin kemi qenë bashkë në kombëtare; ai ka bërë historinë për popullin tonë. Të luash në nivel kaq të lartë në moshë 40 vjeç është e rrallë. Shpresoj që nesër… veç se të mos luajë mirë”, tha duke qeshur Tudor.
Për pyetjen nëse po kalon momentin më të vështirë te Juve, Tudor pati disa fjalë.
“Këto analiza nuk më interesojnë. Më intereson që në dy ndeshjet e fundit e kam parë ekipin mirë. Rezultati varet nga shumë faktorë”.
Ai konfirmoi se stafi po punon për të parandaluar gabimet e fundit dhe për të konsoliduar fazën mbrojtëse, por pa hequr dorë nga ofensiva.
“Është e rëndësishme që të jesh i fortë me dhe pa top, ta fitojmë territorin dhe të jemi të rrezikshëm në sulm. Do të kërkoj nga lojtarët të japin gjithçka, në çdo moment”.
“Numrat nuk më bëjnë përshtypje. Më intereson që ekipi të rritet dhe të luajë me përgjegjësi. Ne jemi Juve – barazimi nuk mjafton”.
●●●
LSHKRIMI NGA
L
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.