Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka kërcënuar Iranin me masa të ashpra, duke përfshirë sanksione, tarifa të reja dhe mundësinë e veprimeve ushtarake, pas refuzimit të presidentit iranian për të mbajtur bisedime të drejtpërdrejta me Uashingtonin mbi programin bërthamor të Iranit.
Në një deklaratë për mediat, ndërsa fluturonte nga Florida për në Uashington, Trump tha: "Do të shohim nëse mund të arrijmë diçka. Nëse jo, do të jetë një situatë shumë e keqe. Unë do të preferoja një marrëveshje, në vend të alternativës tjetër, të cilën mendoj se të gjithë në këtë aeroplan e dinë se çfarë është. Ajo nuk do të ishte një gjë e bukur."
Trump kishte paralajmëruar se në rast se nuk arrihet një marrëveshje, mund të ndodhin bombardime të asaj natyre që Irani nuk ka parë kurrë më parë. Ai gjithashtu ka theksuar se është duke shqyrtuar mundësinë e vendosjes së tarifave ndaj shteteve që blejnë naftë nga Irani, si pjesë e strategjisë së tij të "presionit maksimal" ndaj Teheranit, shkruan Reuters, transmeton Klankosova.tv.
Nga ana tjetër, presidenti iranian, Masud Pezeshkian, e kundërshtoi publikisht mundësinë e zhvillimit të negociatave të drejtpërdrejta me Uashingtonin për programin bërthamor, siç ishte propozuar në një letër të dërguar nga Trump në fillim të muajit. Ai theksoi se, megjithatë, mundësia për negociata indirekte mbetet ende e hapur.
Në përgjigje të këtij refuzimi, Departamenti amerikan i Shtetit theksoi se "presidenti Trump ka qenë i qartë: Shtetet e Bashkuara nuk mund ta lejojnë Iranin të ketë armë bërthamore".
Ata shtuan gjithashtu se Trump ka shprehur gatishmërinë për të diskutuar një marrëveshje me Iranin, por nëse regjimi iranian nuk është i gatshëm të arrijë një marrëveshje, Shtetet e Bashkuara do të kërkojnë opsione të tjera, të cilat do të kenë pasoja të rënda për Iranin.
●●●
AHSHKRIMI NGA
Albina Haxholli
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.