Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk ka shumë parti politike.
Dihet se këtu dominojnë vetëm dy.
Njëra është Partia Republikane, e tjera Partia Demokratike. Një e tretë nuk arriti t’u bëjë konkurrencë këtyra dyjave, asnjëherë.
Kandidati i republikanëve ose demokratëve fiton gjithmonë në garën për president të këtij shteti. Edhe Kongresi, si organi kryesor legjislativ federal në Shtetet e Bashkuara, ka përfaqësues me shumicë të vetëm këtyre dy partive.
Por, cilat janë dallimet kryesore të republikanëve dhe demokratëve dhe kush janë filozofitë që i definojnë dy krahet e politikës amerikanë?
Një shpjegim të thjeshtë për këtë, e jep Jeffrey M. Stonecash, profesor i shkencave politike në “Maxwell School of Citizenship and Public Affairs” të Syracuse University në shtetin e New York.
Sipas tij, ka shumë, por tri janë fushat kryesore të konfliktit mes dy partive. E para është individualizmi ekonomik dhe roli i qeverisë, e dyta ka të bëjë me çështjet racore e kulturore dhe e treta lidhet me imigracionin.
Në prezantimin “Partitë politike dhe çështjet kryesore”, Stonecash del me qëndrimin se ka dallime rrënjësore ndërmjet demokratëve e republikanëve rreth asaj se sa shumë sukses mund të arrijë në jetën e tij secili individ në Amerikë.
“Konservativët (republikanët) janë thellësisht të preokupuar me lirinë nga qeveria. Ata nuk duan që qeveria t’u thotë se cfarë duhet të bëjnë…një shembull për këtë është menaxhimi i COVID. Republikanët janë kundër bartjes së maskave…”, tha Stonecash në një bashkëbisedim me gazetarë nga e gjithë bota që janë përzgjedhur nga Departamenti i Shtetit për të mbuluar në mënyrë virtualë zgjedhjet presidenciale amerikane. “Ata besojnë se pabarazitë që ekzistojnë në shoqërinë amerikane janë për shkak se njerëzit dallojnë përsa i përket përpjekjeve dhe vullnetit të tyre për të punuar. Ata mendojnë që pabarazia ndoshta mund të jetë pak e padrejtë, por jo edhe aq shumë”.
Demokratët ndërkaq, janë krejt ndryshe. Ata, sipas Stonecash, e pranojnë se ka padrejtësi dhe pabarazi dhe duan që të mos jetë kështu.
“Ata thonë se qeveria duhet të ndërhyjë dhe të bëjë diçka, të ofrojë mundësi më të mëdha. Pra, ata nuk janë kundër qeverisë, aspak”, tha ai.
Dallimi i dytë i madh mes njërës dhe tjetrës parti ka të bëjë me normat racore dhe kulturore.
Sipas prezantimit të Stonecash, “Partia Republikane është në masë të madhe ‘e bardhë’. Demokratja ka gjithnjë e më shumë pakica “jo të bardha”.
“Ka një numër të madh të të bardhëve që kanë telashe me legjitimitetin e jo të bardhëve. Disa nga ta janë racistë, por disa kanë një qëndrim sipas të cilit nuk është se njerëzit me ngjyrë janë inferiorë, janë biologjikisht të kufizuar, por jetojnë në një kulturë ku ata nuk punojnë fort. Ka edhe të bardhë që nuk janë aspak dakord me trajtimin e njerëzve me ngjyrë në një mënyrë pozitive. Ata nuk janë armiqësorë. Ata vetëm mendojnë se njerëzit me ngjyrë duhet të adaptohen me rregulla më të mira të sjelljes dhe do të jenë OK” tha ai. “Mund ta imagjinoni se liberalët janë krejtësisht ndryshe. Ata kanë ndjesinë se ka diskriminim sistematik në shoqërinë amerikane…Amerika ende nuk është krejtësisht e favorshme dhe pranuese për njerëzit me ngjyrë”.
E treta çështje që i dallon si nata me ditë republikanët dhe demokratët ka të bëjë me imigracionin dhe atë se kush mund e kush jo, të jetë amerikan. Dhe kjo, sipas profesorit të shkencave politike, ka të bëjë, në thelb, me atë se çfarë nënkupton Amerika.
“Për disa njerëz, Amerika është e bardhë. Njerëzit kanë qenë këtu për një kohë të gjatë. Njerëzit që janë të krishterë e shohin veten si njerëz të mirë, njerëz që me të vërtetë përfaqsojnë atë çfarë Amerika është në të vërtetë”, tha Stonecash. “Për liberalët është shumë më ndryshe. Ata e shohin Amerikën si një ide. Një ide se kushdo që dëshiron të vijë këtu, të punojë fort, që është i përkushtuar, që ndjek rregullat përkatëse, mund të bëhet amerikan. Me fjalë tjera, Amerika duhet të jetë e hapur për të gjithë ata që e ndjekin etikën e idesë për individualizmin, punën e madhe dhe të qenit i përgjegjshëm”.
Gjeneratat e para të imigrantëve irlandezë, italianë e polakë nuk ishin pranuar si amerikanë, kur erdhën në Shtetet e Bashkuara, moti kohë më parë. Tashti ata konsiderohen si amerikanë të bardhë dhe shpeshherë, sipas Stonecash, ankohen për imigrantët, siç bëjnë konservativët.
“Konservativët mëtojnë t’i shohin imigrantët si kërcënim. Ata mendojnë se të ardhurit po e konsumojnë mirëqenien e amerikanëve dhe se kanë kulturë të gabuar. Ata mendojnë se imigrantët do të shkatërrojnë atë që është thelbi i Amerikës. Liberalët janë më pranues për ta dhe shfaqin dëshirë për t’i pranuar ata”, thotë ai.
Këto dallime në filozofi mes dy partive kanë prodhuar një shoqëri amerikane, në të cilën ka një përqindje në rritje të njerëzve në të dyja anët, të cilët, sic thotë Stonecash, mendojnë se pala tjetër është kërcënim për Amerikën.
“Ata mendojnë që nëse pala tjetër vjen në pushtet, Amerika do të marrë fund. Nëse i ndjekim fushatat e kandidatëve për president, Trump po u thotë njerëzve se ‘unë jam e vetmja gjë e cila qëndron ndërmjet jush dhe shkatërrimit të Amerikës. Grupet me orientim liberal po thonë që nëse zgjedhet Donald Trump, atëherë Amerika rrezikon të shkatërrohet”, tha ai. “Pra, sikur mund ta imagjinoni, nuk është lehtë të jesh pjesë e një bisede kur mendoni se pala tjetër është kërcënim për vazhdimësinë e demokracisë amerikane”.
Presidenti aktual Donald Trump është kandidat i Partisë Republikane për zgjedhjet e 3 nëntorit.
Demokratët po garojnë me ish-zëvendëskryetarin, Joe Biden.
Ky shkrim është pjesë e projektit “Zgjedhjet 2020: Një turne virtual raportimi për Shtetet e Bashkuara dhe procesin elektoral të Amerikës”. Autori i shkrimit është përzgjedhur të jetë pjesë e këtij projekti nga Departmenti i Shtetit, që realizohet nga Foreign Press Centres në bashkëpunim me Meridian International Center.