Pas eliminimit nga kualifikimet e Ligës së Kampionëve të basketbollit, kampionia e Kosovës, Trepça, do të vazhdojë garimin në FIBA Europe Cup, ku tashmë është vendosur në Grupin F.
“Xehetarët” u ndalën javën e kaluar në raundin e parë të Basketball Champions League nga ekipi holandez Heroes Den Bosch, por sipas rregullores, e siguruan automatikisht pjesëmarrjen në fazën grupore të Europe Cup-it.
Në këtë grup, Trepça do të ketë përballë kundërshtarë shumë të fortë. Basketball Löwen Braunschweig nga Gjermania është ekipi më i fuqishëm në bazë të shortit, ndërsa PAOK-u grek është po ashtu një rival i madh. Ekipi i katërt i grupit do të bëhet i ditur pas përfundimit të raundeve kualifikuese.
Sipas kalendarit të publikuar, ndeshja e parë e Trepçës do të zhvillohet më 15 tetor në Selanik ndaj PAOK-ut – një test i vështirë për djemtë e Mitrovicës, që synojnë të lënë gjurmë edhe në arenën evropiane.
Grupi F i FIBA Europe Cup:
- Basketball Löwen Braunschweig (Gjermani)
- PAOK (Greqi)
- Trepça (Kosovë)
- përcaktohet pas kualifikimeve
●●●
BSHKRIMI NGA
BM
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.