Klubi i Basketbollit, Trepça, ka reaguar pasi Prishtina doli me një komunikatë se ndeshja e fundit mes tyre është tentuar të manipulohet.
Klubi mitrovicas thotë se e kanë pranuar me shqetësim këtë pretendim siç thonë të klubit prishtinas, teksa shtuan se janë të pastër dhe nuk janë të përfshirë në këto zhvillime, njofton Klankosova.tv.
Trepça ka ftuar organet përgjegjëse të hetuesisë dhe të Federatës së Basketbollit të Kosovës që të kryejnë punën e tyre dhe të zbardhin pretendimet e klubit Sigal Prishtina.
“Me vëmendje kemi lexuar një komunikatë të lëshuar sot nga klubi tjetër i Superligës së Kosovës në basketboll, KB Sigal Prishtina. Me shqetësim kemi lexuar pretendimin e klubit prishtinas se ka pasur përpjekje për të manipuluar ndeshjen e kaluar të gjysmëfinales së play-offit”, thuhet në reagim.
“Klubi ynë nuk është dhe nuk ndjehet pjesë e këtyre zhvillimeve jashtë fushës së basketbollit. TREPÇA, ashtu si kristalet e minierës sonë, është plotësisht e pastër. KB Trepça nuk merret me gjëra që nuk i takojnë sportit dhe me “lojëra” jashtë parketit”.
“Prandaj, ftojmë organet përgjegjëse të hetuesisë së shtetit tonë dhe të Federatës së Basketbollit të Kosovës që të kryejnë punën e tyre dhe të zbardhin pretendimet e klubit Sigal Prishtina. Gjithashtu ftojmë dhe do të insistojmë si klub që të zbardhen jo vetëm këto pretendime, por të gjitha dyshimet për parregullsi në basketbollin kosovar në vitet e fundit”.
“Ka tri vjet që kryesia aktuale e KB Trepça jep maksimumin për ta ngritur basketbollin kosovar në nivelin më të lartë. Me mburrje të plotë themi se këtë e kemi arritur. Ndjehemi krenarë që interesimi për basketbollin kosovar është në kulm dhe që klubi ynë ishte katalizator i kësaj ngritjeje të mahnitshme”.
“Prandaj nuk lejojmë në asnjë mënyrë që të përlyhet emri i madh TREPÇA. Me përkushtim dhe vendosmëri do të mbrojmë punën tonë, djersën tonë dhe imazhin e klubit, që i bënë nder basketbollit e sportit kosovar në përgjithësi”.
“Do t’i shkojmë deri në fund kësaj çështjeje dhe do të insistojmë që të zbulohen gjitha parregullsitë e pretenduara”.
“E përsërisim, si klub jemi plotësisht të pastër dhe në asnjë mënyrë nuk jemi të përfshirë në këto zhvillime”.
“Tifozët tanë i ftojmë që të qëndrojnë pranë klubit e ekipit. Jemi të fokusuar për organizim madhështor të ndeshjes së ardhshme gjysmëfinale të plejofit. Për të dëshmuar që TREPÇA është shumë e madhe dhe plotësisht e pastër. E pastër kristal”.
●●●
LISHKRIMI NGA
L I
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.