Gjatë ditës së sotme është hedhur shorti i ndeshjeve çerekfinale të Kupës së Kosovës në futboll.
Klubi nga kryeqyteti do të përballet me Vëllaznimin e Gjakovës.
E trajneri i Prishtinës Jean-Michel Cavalli, tha se në këtë fazë të kupës, nuk ka short të lehtë.
“Në këtë fazë të garës nuk ka short të lehtë. Këtë e tregon edhe fakti se Vëllaznimi ishte surpriza e raundit të fundit pasi eliminoi Gjilanin dhe atë gjatë kohës së rregullt”, u shpreh ai pas hedhjes së shortit, teksa shtoi se ballafaqimi me gjakovarët nuk do të jetë i lehtë.
Megjithatë, ai tha se Prishtina objektiv ka ta fitojë Kupën e Kosovës.
“Kemi një ekip të fortë dhe do të bëjmë gjithçka për të qenë të përpiktë në këtë takim, dhe të vazhdojmë rrugëtimin tonë”, theksoi trajneri i Prishtinës Jean-Michel Cavalli.
Shorti i hedhur në ambientet e Federatës së Futbollit të Kosovës, ka përballur edhe Malishevën me Llapin, që është edhe kryendeshja e kësaj faze.
Në duelet tjera ku skuadrat luftojnë për ta siguruar gjysmëfinalen, takohen edhe Drenica – Ferizaj dhe Prishtina e Re – Drita.
Ndeshjet do të zhvillohen më 26 shkurt, 2025. /Klankosova.tv

●●●
ASHKRIMI NGA
A
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.