Trajneri i kombëtares së Kosovës në futboll, Franco Foda dhe mesfushori Elvis Rexhbeçaj, kanë shfaqur optimizëm të theksuar para sfidës me Rumaninë.
Në konferencën për media, futbollisti bëri të ditur se grupi është i bashkuar dhe besojnë fuqishëm se do të paraqiten në mënyrën e duhur në duelin e nesërm.
"Ne luajmë për fitore, uroj t'i bëjmë tifozët tanë krenarë. Pavarësisht se Rumania ka grup të mirë, ne do të synojmë ta kontrollojmë ndeshjen në mesfushë. Kemi kualitet të mirë në sulm andaj besoj se mund ta dominojmë këtë ndeshje", është shprehur Rexhbeçaj duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.
"Personalisht jam i ndërtuar si karakter futbollisti që në çdo ndeshje dhe çdo stërvitje ta jap maksimumin. Edhe nëse gaboj ndonjëherë, nuk më ç'orienton, pasi vazhdoj përpara për ta ndihmuar skuadrën", tha mesfushori.
Nga ana tjetër, selektori Foda thotë se detyra e tij është që ta zbres në fushë skuadrën më të fortë.
"Edhe pse kemi pësuar tri gola në ndeshjen e parë me rumunët, pas disa gabimeve tona, ne nuk kemi qenë në nivel më të ulët se sa kundërshtari. Ne kemi mungesa të rëndësishme, por jemi të gatshëm për të shfaqur më të mirën dhe ta synojmë fitoren", nënvizoi Foda.
"Si çdo skuadër, edhe Rumania ka pikat e dobëta ku ne do të mundohemi t'i shfrytëzojmë ato, por natyrisht ka anë të forta e ku ne duhet të jemi të kujdsshëm", tha trajneri i përfaqësueses kosovare.
Në fund, Franco Foda bëri të ditur se si lojtarët do t'i qasen ndeshjes nga fillimi.
"Që prej minutës së parë ne do ta kërkojmë fitoren. Do të bëjmë gjithçka për këtë objektiv"
Ndeshja Rumani - Kosovë zhvillohet të premten në Bukuresht, duke filluar nga ora 20:45.
●●●
KRSHKRIMI NGA
kushtrim reshitaj
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.