Lajmet e fundit

Shtatë tifozë të skuadrës greke PAOK kanë humbur jetën tragjikisht në një aksident trafiku në Rumani.
Ata ishin duke udhëtuar drejt Francës për të ndjekur ndeshjen kundër Lyonit në kuadër të Conference League, e cila është shtyrë për të enjten pas kësaj ngjarjeje të rëndë.
Tragjedia ka tronditur botën e futbollit, raportojnë mediat ndërkombëtare. Pamje nga aksidenti janë shpërndarë edhe në rrjetet sociale, ku shihet minibusi me tifozë duke u përplasur me një kamion cisternë.
Për ngjarjen ka reaguar edhe kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, i cili u shpreh i tronditur nga humbja e jetëve njerëzore.
“Qeveria greke dhe ambasada jonë janë në koordinim të ngushtë me autoritetet lokale dhe po ofrojnë çdo formë të mundshme mbështetjeje”, deklaroi Mitsotakis.
Ai u shprehu ngushëllimet më të sinqerta familjeve të viktimave dhe komunitetit PAOK, duke shtuar se shpreson për shërim të shpejtë të të plagosurve. “Mendimet tona janë me ta në këto momente të vështira”, përfundoi ai.