Tottenham Hotspur është gati të shpenzojë 80 milionë euro për të siguruar shërbimet e Nico Paz, mesfushorit ofensiv të talentuar që aktualisht luan për Como-n, teksa klubi anglez kërkon me ngulm të forcojë repartin e mesfushës për sezonin aktual në Premier League dhe UEFA Champions League.
Skuadra e drejtuar nga Thomas Frank ka parë të dështojnë përpjekjet për transferimin e Eberechi Eze dhe Morgan Gibbs-White, ndërsa lëndimi i rëndë i James Maddison gjatë fazës përgatitore e ka lënë Tottenhamin pa një lojtar kreativ në mesfushë. Për këtë arsye, drejtuesit e klubit kanë vënë në shënjestër 19-vjeçarin argjentinas, i cili ka shkëlqyer në Serie A me Como-n.
Megjithatë, rruga drejt këtij transferimi nuk është aspak e lehtë. Real Madrid mban ende të drejta të rëndësishme mbi të ardhmen e Nico Paz, falë klauzolave të kontrollit të vendosura në momentin e largimit të tij nga “Santiago Bernabéu”. Kjo do të thotë se “Los Blancos” mund të pengojnë ose të komplikojnë çdo lëvizje të Tottenhamit, nëse vendosin ta rikthejnë lojtarin në Madrid.
Pavarësisht pengesave, Tottenham duket i vendosur të bëjë gjithçka për ta sjellë talentin argjentinas në Londër, me synimin që ai të bëhet lider i ri i mesfushës dhe të ndihmojë skuadrën në dy frontet më të rëndësishme të sezonit./Klankosova.tv
●●●
AHSHKRIMI NGA
Alberta Hyseni
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.