Janë shpallur në kërkim tre persona në Tiranë pasi që dyshohen se kanë vjedhur 9 mijë euro në kasafortën e një avokature.
Policia e Shqipërisë ka njoftuar se vjedhja ka ndodhur të hënën e kaluar, përcjell Klankosova.tv
Ndërsa gjatë kontrollit në banesën e njërit prej tyre, janë sekuestruar 30 mijë euro që dyshohen se janë të vjedhura, një automjet, veshje dhe mjete që autorët i kanë përdorur gjatë vjedhjes.
“Sekuestrohen 30 mijë euro, një automjet, veshje dhe mjete (kaçavida, dalta) që autorët dyshohet se i kanë përdorur gjatë vjedhjes. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, pas njoftimit të marrë se në një zyrë, disa shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vjedhur një shumë parash, menjëherë kanë organizuar punën për identifikimin e autorëve të dyshuar dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar "Office".
“Në kuadër të tij u shpallën në kërkim shtetasit: - E. (F). L., 40 vjeç, A. Rr., 51 vjeç, dhe E. Rr. ., 42 vjeçe, të tre banues në Tiranë. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas, më datë 28.08.2023, kanë vjedhur 9000 euro, në kasafortën e një zyre avokatie. Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit A. Rr., shërbimet e Policisë gjetën e sekuestruan 30 mijë euro të dyshuara të vjedhura, një automjet, veshje dhe mjete (kaçavida, dalta) që autorët i kanë përdorur gjatë vjedhjes. Vijon puna për kapjen e 3 shtetasve”, thuhet në njoftimin e policisë së Shqipërisë.
●●●
GSHKRIMI NGA
G.U
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.