Ndeshja miqësore e zhvilluar dje mes Spanjës dhe Egjiptit u shënua nga thirrje islamofobike nga tribunat.
Në takimin e luajtur në stadiumin RCDE dhe që përfundoi 0-0, tifozët spanjollë brohoritën: “Kërce, kërce, ai që nuk kërcen është mysliman”. Pas kësaj, gjatë pushimit dhe në pjesën e dytë u bënë njoftime në stadium që tifozët të shmangnin thirrjet raciste apo ksenofobike.
Në ekranin gjigant të stadiumit u shfaq mesazhi: “Kujtojmë se ligji për parandalimin e dhunës në sport ndalon dhe dënon pjesëmarrjen aktive në veprime të dhunshme, ksenofobike ose raciste.”
Federata Spanjolle e Futbollit (RFEF), në një postim në platformën sociale X, reagoi duke thënë: “Federata i bashkohet mesazhit të futbollit tonë kundër racizmit dhe dënon çdo akt dhune në stadiume.”
Mesfushori i Spanjës dhe Barcelonës, Pedri, pas ndeshjes deklaroi: “Si lojtarë, u tronditëm nga këto thirrje. Nuk marrim pjesë në asnjë thirrje raciste. Nuk e prisnim këtë. Duhet të punojmë të gjithë së bashku për t’i ndalur këto gjëra në stadiume.”
Edhe trajneri i Spanjës, Luis de la Fuente, reagoi duke thënë: “Kjo është absolutisht e papranueshme. Pashë mesazhin e vendosur në ekran nga federata. Besoj se shumica e stadiumit i fishkëlleu dhe i kundërshtoi ata njerëz të pasjellshëm. Futbolli nuk përmban dhunë. Njerëzit e dhunshëm e përdorin futbollin për të jetuar momentet e tyre. Duhet t’i identifikojmë dhe t’i largojmë nga shoqëria. Sa më larg të jenë, aq më mirë”. /klankosova.tv
●●●
AHSHKRIMI NGA
Albina Haxholli
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.