Lajmet e fundit

Gjykata Themelore e Prishtinës e ka anuluar vendimin e qeverisë së Kosovës për uljen e pagave për gjyqtarët dhe prokurorët.
Vendimi i Departamentit Administrativ të kësaj gjykate, e aprovon si të bazuar kerkesëpadinë e Shoqatës së Prokurorëve, ndërsa e ka anuluar si të kundërligjshëm vendimin e të paditurës Qeverisë së Kosovës, për uljen e pagave të prokurorëve dhe gjyqtarëve, të 23 nëntorit 2022, duke e lënë në fuqi vendimin e datës 12 shkurtit 2020, njofton Klankosova.tv
Me vendimin e 13 tetorit 2023, Gjykata ka vlerësuar se pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve në sistemin e drejtësisë nuk mund të ulen gjatë mandatit të tyre, pasi që janë të drejta të fituara dhe të garantuara me ligj dhe si të tilla nuk mund të cenohen.
“Gjykata në frymën e Kushtetutës së Republikës se Kosovës, dispozitave ligjore të lartcekura, Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, instrumenteve ndërkombëtare dhe praktikave gjyqësore të vendeve të ndryshme evropiane erdhi në përfundim se, vendimi kontestues i të paditurës nuk është i bazuar në ligj, andaj gjykata, kërkesëpadinë e paditëses e aprovoi si të bazuar duke anuluar vendimin e të paditurës, Qeverisë së Republikës së Kosovës të datës 23.11.2022, me numër të referencës Nr.03/109, si të kundërligjshëm dhe duke lënë në fuqi vendimin i datës 12.02.2020 me numër 01/02 , e nxjerr nga Qeveria e Republikës se Kosovës, ashtu si në dispozitiv të këtij aktgjykimi”, thuhet në vendimin e Themelores njofton Klankosova.tv
Ky aktgjykim, e zëvendëson aktin administrativ të anuluar dhe ka karakter detyrues për palët.
“Nga provat e administruara gjykata gjen se, me vendimin e datës 12.02.2020, me numër 01/02 e nxjerr Qeveria e Republikës së Kosovës është shfuqizuar vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës me numër nr.04/20 i datës 20.12.2017; 2. Pagat për pozitat e përcaktuara me vendimin e shfuqizuar nga pika 1, kthehen në lartësinë e përcaktuar me rregullimin juridik të mëparshëm; 3.Ky vendim nuk ka efekt në uljen e pagave aktuale në sistemin e drejtësisë dhe Gjykatën Kushtetuese në pajtim me nenin15 të Ligjit Nr.03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës; nenin 35, paragrafët 1 dhe 2, të Ligjit Nr.06/L-054 për Gjykatat nenin 21 paragrafi 1, nën – paragrafët 1.1 deri në 1.10 të Ligjit Nr.03/L-225 për Prokurorin e Shtetit; nenin 18, paragrafi 1, të Ligjit Nr.06/L-055 për Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe nenin 18, paragrafi 1, të Ligjit nr.06/L-056 për Këshillin Prokurorial; 4. Ky vendim vlen deri në marrjen e vendimit nga Gjykata Kushtetuese në lidhje me rastin KO219/19 për vlerësimin e kushtetutshmërisë të Ligjit Nr.06/L-111 për Pagat në Sektorin Publik”, thuhet në vendim.
Po ashtu, thuhet se me vendimin kontestues të së paditurës të 23 nëntorit 2022, është shfuqizuar pika 3 dhe 4 e vendimit nr. 01/02 datë 12 shkurt 2020, të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për shkak të rrethanave të ndryshuara ligjore, ku pagat e sistemit gjyqësor, përfshirë ato të Gjykatës Kushtetuese kthehen në lartësinë e përcaktuar me rregullimin juridik të mëparshëm, kurse pikat tjera mbetën të pandryshuara, njofton Klankosova.tv
Paditësja, e pakënaqur me vendimin e të paditurës, ka ushtruar padi në këtë gjykatë me datë 9 nëntor 2022, duke e kontestuar ligjshmërinë e të njëjtës.
Vendimin e plotë të Gjykatës Themelore të siguruar nga Klankosova.tv mund ta gjeni mëposhtë: