Ndeshja e Ligue 1 mes Lens dhe Paris Saint-Germain ishte riplanifikuar tashmë për 11 prill nga data fillestare. Më pas, PSG i kërkoi Ligue de Football Professionnel një shtyrje tjetër, me qëllim që të menaxhonte më mirë ndeshjet e afërta të çerekfinaleve të Champions League kundër Liverpoolit dhe të kishte më shumë ditë pushimi mes dy ndeshjeve evropiane.
Por Lens e kundërshtoi qartë këtë kërkesë, transmeton Klankosova.tv.
“Më 6 mars u përcaktua programi i ndeshjes mes Lens dhe Paris Saint-Germain, duke formalizuar një kornizë që të gjithë u ftuan ta respektojnë. Në një frymë përgjegjësie dhe moderimi, Lens e ka informuar PSG-në që në fillim për qëllimin e tij për të mos ndryshuar datën. Besnik ndaj angazhimit për stabilitet sportiv, klubi ka zgjedhur gjithashtu të përmbahet nga çdo komunikim publik mbi këtë çështje. Megjithatë, rritja e fundit e deklaratave dhe sugjerimeve të ndryshme na detyron sot të dalim nga kjo heshtje. Na duket se po përhapet një ndjenjë shqetësuese: ajo e një kampionati francez që po reduktohet gradualisht në një variabël që përshtatet sipas nevojave evropiane të disa palëve. Është një koncept i veçantë i drejtësisë sportive, i vështirë për t’u gjetur në kompeticione të tjera të mëdha kontinentale," shkruhet në komunikatën e Lens.
“Ndryshimi i datës së kësaj ndeshjeje tani do të thoshte që Lens do të mbetej pa gara për 15 ditë dhe më pas do të duhej të luante ndeshje çdo tre ditë: një ritëm që nuk përputhet me atë të vendosur në fillim të kampionatit dhe as me mundësitë e një klubi që nuk mund të përballojë këtë lloj ngarkese pa pasoja,” deklaroi kluni francez i drejtuar nga trajneri Pierre Sage.
Deklarata përmbyllet me këto fjalë: “Si pasojë, balanca e kampionatit do të duhej t’u përshtatej kërkesave të më të fuqishmëve, në emër të interesave që tashmë tejkalojnë kuadrin kombëtar, i cili është dobësuar në sezonet e fundit (nga 1 në 18 skuadra, heqja e Kupës së Ligës). Përtej këtij rasti specifik, çështja është më thelbësore: respekti që i detyrohet vetë garës. Është e drejtë të shtrohet kjo pyetje kur, në territorin e saj, kampionati ndonjëherë duket se vihet në plan të dytë ndaj ambicieve të tjera, sado legjitime të jenë ato. Lens mbetet besnik ndaj parimit të drejtësisë, qartësisë së rregullave dhe respektit për të gjitha palët e përfshira. Parime të thjeshta për një futboll francez të drejtë dhe të respektuar”.
PSG kryeson kampionatin me 60 pikë, 1 më shumë se Lens, por skuadra e Luis Enriques ka edhe një ndeshje më pak të luajtur.
●●●
AHSHKRIMI NGA
Albina Haxholli
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.