Mbrojtësi austriak David Alaba është në kërkim të një aventure të re dhe, sipas raportimeve të “
Corriere dello Sport”, ai i është ofruar dy gjigantëve italianë, Juventusit dhe Milanit.
Reprezentuesi i Austrisë, i cili aktualisht është pjesë e Real Madridit, thuhet se është propozuar te klubet italiane nga agjenti i tij i njohur, Pini Zahavi, transmeton Klankosova.tv.
Kontrata e Alabës me klubin madrilen skadon në fund të sezonit dhe 33-vjeçari pritet të largohet si lojtar i lirë nga “Santiago Bernabeu”, pas një sezoni të vështirë të shoqëruar me probleme të shumta fizike dhe lëndime.
Gjatë këtij edicioni, mbrojtësi me përvojë ka zhvilluar vetëm 14 paraqitje në të gjitha garat dhe synon të gjejë një klub të ri për sezonin 2026/27, ku do të mund të rikthejë formën dhe vazhdimësinë në lojë.
Raportohet se Zahavi ia ka ofruar Alabën disa klubeve evropiane, ndërsa përveç Juventusit dhe Milanit, interes për të kanë shfaqur edhe skuadra nga liga të tjera.
Sipas mediave italiane, Alaba po ndiqet me interes nga klubet e MLS-së dhe Saudi Pro League, të cilat janë të gatshme t’i ofrojnë kontrata të rëndësishme financiare.
Një tjetër opsion për të ardhmen e tij mbetet edhe rikthimi në Austri, pasi Salzburgu po shqyrton mundësinë për ta rikthyer ish-lojtarin e tyre, me synimin që ai të kontribuojë në zhvillimin e futbollistëve të rinj brenda projektit të grupit “Red Bull”.
●●●
KGSHKRIMI NGA
Kasim Gerbeshi
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.