Përzgjedhësi i Shqipërisë, Sylvinho ka dalë në konferencë për media në prag të ndeshjes së nesërme në Leskovc përballë Serbisë.
Trajneri brazilian ka folur për rëndësinë e kësaj sfide dhe gjasat e Shqipërisë për ta zënë vendin e dytë në grupin K dhe arritjen e playoffit për në Kupën e Botës.
“Të gjithë ndeshjet janë të rëndësishme. Por e nesërmja po më e rëndësishmja, absolutisht. Një muaj më parë ishte ndaj Letonisë, nëse nuk fitonim nuk do kishte sens. Nëse fitojmë, do jetë me Andorrën në vazhdim më e rëndësishmja. Është emblematike dhe e bukur. Besoj do jetë e bukur”, deklaroi Sylvinho.
Tekniku 51-vjeçar është pyetur edhe për problemet e Kuq e Zinjve në repartin e sulmit, ku gjatë shtatorit arritën fitore minimale përballë kundërshtarëve modestë si Gjibraltari në takimin miqësor, dhe Letonisë në Tiranë.
“Siç e thashë është ndeshje e bukur dhe ndryshe. Kemi pasur stërvitje të vazhdueshme në Tiranë, duke përdorë videot, duke shkuar në fushë dhe duke korrigjuar. Dje kemi zhvilluar stërvitje të nivelit të lartë. Të gjithë të gatshëm dhe i janë përgjigjur stërvitjes. Nesër duhet të zgjedhim lojtarët që do dalin në fushë. Nuk më shqetëson mungesa e golit, është pika e fundit e futbollit. Sigurisht që ndërtohet për të shkuar te goli. Kam besim te gjithë lojtarët dhe të gjithë mund të përgjigjen atyre që kemi përgatitur gjatë stërvitjeve”, u shpreh Sylvinho.
Tekniku brazilian refuzoi të tregonte shanset e Shqipërisë në ballafaqimin e nesërm por premtoi se lojtarët do të luajnë me shpirt e zemër.
“Futbolli është i paparashikueshëm, e përsërit këtë. Për këtë arsye nuk mund të vendosim baste. Unë jam një trajner, kam qenë lojtar 15-16 vjet, me modesti them në nivelet më të larta. Kam bërë një Botëror si asistent dhe një Europian me Shqipërinë. Nuk kam parë kurrë një ndeshje që fitohet pa e nisur. Kjo është skuadër e fortë me vlerë të rëndësishme individuale në kampionate të rëndësishme".
"Ne në shtëpi kemi luajtur dhe jemi rritur shumë pas një Europiani ku bëmë eksperiencë. Çdo gjë mund të ndodhë në 90 minuta, e dimë ne dhe ata, sipas meje nuk ka përqindje, por vetëm të dalësh me intensitet e luash me zemër e shpirt. Pastaj të shohim, unë kam besim të plotë te skuadra jonë”, përfundoi Sylvinho.
●●●
LSHKRIMI NGA
L
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.