Trajneri i kombëtares së Shqipërisë, Sylvinho, ka folur pas humbjes ndaj Anglisë me rezultat 2-0, për të cilën tha se janë të zhgënjyer por edhe krenarë me performancën e lojtarëve në fushë.
Sylvinho tha se Anglia është një nga kombëtaret më të mira nëbotë, ndaj të cilës mund të pësosh 4-5 gola nëse s’je mirë i organizuar.
“Kemi bërë mirë në aspektin defensiv, pastaj me Brojën kemi pasur mundësi i cili i vuri ata në vështirësi. Broja është rikthyer nga një dëmtim, i cili nga 4 janari nuk ka luajtur dhe është kthyer në pankinë vetëm dy ditë përpara se të shpalleshin listat e grumbullimeve dhe është një lojtar që në një vit e ca ka bërë 2-3 ndeshje në total, mundohemi që të përfitojmë nga cilësitë e tij që i pamë në fushë”.
“Ripërsëris që lojtarët kanë bërë shumë mirë kundër një skuadre shumë të fortë, që duhet ta pranojmë që është superiore ndaj nesh. Rikujtojmë që edhe në kualifikuesit e Evropianit e kemi nisur me një humbje ndaj Polonisë”, tha Sylvinho për Klan Kosovën.
Më tej, ai foli edhe për pritshmeritë nga kualifikimet për Kampionatin Botëror, ku tha se është vetëm fillimi dhe se për çdo ndeshje duhet luftuar deri në fund.
“Është vetëm fillimi, ndeshja e parë e një rrugëtimi që do të vazhdojë deri në nëntor dhe do të luftojmë për çdo pikë”.
“Anglia është superiore, kurse të gjitha të tjerat duhet të luftojnë për çdo pikë sepse çdo gjë është e hapur. Praktikisht në letër, Anglia është ajo që mund ta zë vendin e parë, por nuk i dihet sepse duhet që edhe ajo t’i fitojë ndeshjet, por teknikisht në letër ajo është e favorizuar”, tha ai.
●●●
BSHKRIMI NGA
BM
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.