Trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvinho, ka dalë në një prononcim për mediat ku ka komentuar situatën e ekipit, afrimet e reja dhe përgatitjet për përballjen e radhës ndaj Polonisë.
Tekniku kuqezi u ndal fillimisht te dy lojtarët e rinj, Ernest Muçi dhe Arbnor Mehmeti, duke theksuar se janë ende në fazën e vlerësimit.
“Sa i përket lojtarëve Muçi dhe Mehmeti, kemi pasur kontaktin e parë me këta lojtarë ditën e hënë dhe kemi arritur të zhvillojmë disa seanca stërvitore deri më tani. Është e pamundur të përcaktoj deri më tani se si do të jetë zgjedhja në vazhdim. Por e dimë që janë lojtarë të cilët nëse i hedhim në fushë, mund të bëjnë shumë mirë për skuadrën”, u shpreh Sylvinho transmeton Klan Kosova.
Në vijim, trajneri komentoi edhe deklaratën e homologut të tij te Polonia, i cili kishte theksuar se Shqipëria nuk mund të bëjë surprizë.
“Trajneri polak tha se Shqipëria nuk mund të bëjë surprizën? Nuk e di pse e ka thënë këtë. Më është dukur njeri i këndshëm dhe po bën mirë me Poloninë. Në 90 minuta mund të ndodhë gjithçka. Duhet të jemi të përgatitur për më mirë. Unë mendoj se jemi përmirësuar shumë nga viti 2023. Flas për ciklin tim”, theksoi ai.
Në fund, Sylvinho nuk fshehu edhe tensionin para ndeshjes, duke zbuluar se përgatitjet intensive kanë ndikuar edhe në pushimin e tij.
“A do fle sonte? Prej dy muajsh praktikisht nuk fle…”, përfundoi trajneri i Kombëtares, duke treguar përkushtimin maksimal për këtë sfidë të rëndësishme.
●●●
ASHKRIMI NGA
albert
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.