Conor McGregor pritet të rikthehet në oktagon gjatë vitit 2026, pasi ka përfunduar pezullimin dhe është rikthyer në programin e testimeve anti-doping, një hap i domosdoshëm përpara çdo lufte zyrtare.
Ish-kampioni në dy kategori, mbetet një nga emrat më të mëdhenj në historinë e UFC, dhe rikthimi i tij pritet të shndërrohet në një event të madh global.
Megjithatë, deri në këtë moment, nuk ka asnjë kundërshtar të konfirmuar, edhe pse spekulimet janë të shumta.
Sa i përket opsioneve se kush mund të jetë kundërshtari i tij, disa emra janë duke u spekuluar!
Michael Chandler - Opsioni më I mundshëm! Dyshja kanë një histori të ndërtuar nga ‘The Ultimate Fighter’ dhe UFC e ka tentuar më parë këtë përballje. Është luftë që “shitet” lehtë dhe garanton spektakël.
Justin Gaethje - Një përballje brutale që premton aksion të pandalshëm. Por, për McGregor, pas një mungese të gjatë, do të ishte një rrezik serioz. Dhe Gaethje është I përqendruar tek lufta e tij e ardhshme për titull kundër kampionit Ilia Topuria në eventin e qershorit në Shtëpinë e Bardhë.
Nate Diaz - Trilogjia e shumëpritur. Rivaliteti ekziston dhe interesi është i garantuar, por nga ana sportive mbeten disa pikëpyetje. Më e rëndësishmja, Nate Diaz është një “free agent” dhe duke mos qenë në kontratë me UFC, do të kërkonte pagesë serioze.
Max Holloway - Një sfidë elitare dhe shumë e vështirë. Holloway me ritmin dhe volumin e tij do të ishte një test i madh për çdo version të McGregor, por për irlandezin nuk ka ndonjë benefit, sidomos pasi Holloway mbeti edhe pa brezin “BMF”.
Charles Oliveira – Ish kampion dhe luftëtari i cili aktualisht zotëron titullin “BMF”, do të mund të ishte një plus i madh për ‘DoBronxs’ që ta siguronte këtë luftë me McGregor, përballje të cilën braziliani e kishte kërkuar edhe sa ishte kampion në Lightweight.
Gjithsesi, situata mbetet e hapur. UFC pritet të ndërtojë një event të madh rreth rikthimit të McGregor, por derisa të ketë një njoftim zyrtar, gjithçka mbetet në nivel spekulimi, dhe me McGregor, surprizat janë gjithmonë pjesë e lojës.
Por, e rëndësishme është që Connor McGregor është rikthyer në programin e testimeve anti-doping. /Klankosova.tv
●●●
VZSHKRIMI NGA
Vanesa Zhugolli
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.