Drenica mposhti Dritën 1-1, duke e vazhduar serinë e mirë të rezultateve në Superligën e Kosovës. Ngritja e formës ka bërë që “kuqezinjtë” të dalin nga zona e rrezikimit pasi tani zënë pozitën e shtatë në renditjen tabelore, raporton Klan Kosova.
E në xhiron e 30-të, Drenica përballet me skuadrën e rrezikuar, Prishtina e Re. Ky është dueli hapës i kësaj xhiroje i cili zhvillohet të shtunën me fillim në ora 15:00.
E nga ora 20, në kryeqytet luhet ndeshja e dy ekipeve që po kërkojnë daljen në arenën ndërkombëtare. Prishtina është nikoqire e Gjilanit në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Shtatë xhiro para fundit të kampionatit, “Plisat” e “Skifterët” ndahen me vetëm një pikë dhe dueli mes tyre mund të jetë vendimtar në betejën për pozitën e tretë në tabelë.
Të dielën ndërkohë, në program janë tre sfida të tjera. Drita, që është në rrugë të mbarë për mbrojtjen e titullit, në Gjilan e pret skuadrën jashtë formës, Llapin.
“Intelektualët” janë shkëputur pesë pikë nga Ballkani i vendit të dytë dhe ndaj Llapit synojnë pikët e sigurisë.
E “portokallezinjët” nga Suhareka shpresojnë në një gabim eventual të Dritës për t’u rikthyer në garë për titull. Por atyre u duhet fitorja në xhiron e 30-të ndaj Ferizajt, skuadër kjo që po kërkon mbijetesë.
Dueli tjetër i së dielës është ai mes Dukagjinit dhe Malishevës. Të gjitha ndeshjet nga Albi Mall Superliga e Kosovës transmetohen ekskluzivisht në platformën Artmotion.
https://youtu.be/LtLYk_j4T_M
●●●
LESHKRIMI NGA
Lendita Elshani
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.