Lajmet e fundit

Në rajonin rus të Bryanskut, pranë kufirit me Ukrainën, dy persona humbën jetën pasi një dron ukrainas goditi automjetin e tyre në një fshat kufitar.
Lajmin e bëri të ditur ushtruesi i detyrës së guvernatorit të rajonit, Yegor Kovalchuk.Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se sistemet e mbrojtjes ajrore rrëzuan 124 dronë ukrainas në rajone të ndryshme të Rusisë gjatë periudhës nga ora 08:00 deri në orën 20:00 sipas kohës lokale.
Ndërkohë, kryetari i Moskës, Sergei Sobyanin, tha se disa dronë që po i afroheshin kryeqytetit rus u neutralizuan nga mbrojtja ajrore. Sipas mediave ruse, gjatë ditës u rrëzuan gjithsej 24 dronë që synonin Moskën, shkruan Reuters, transmeton Klankosova.tv
Edhe në Ukrainë u raportuan viktima. Guvernatori i rajonit të Dnipropetrovskut, Oleksandr Hanzha, bëri të ditur se mbi 40 sulme me dronë dhe artileri pranë qytetit Nikopol lanë një person të vrarë dhe një tjetër të plagosur.
Nikopoli, i cili ndodhet në bregun përballë centralit bërthamor të Zaporizhzhias, të kontrolluar nga forcat ruse, është një nga zonat që goditet shpesh nga sulmet ruse.
Nga ana tjetër, Denis Pushilin, i emëruar nga Moska si udhëheqës i zonave të pushtuara të rajonit ukrainas të Donetskut, tha se dy persona u vranë nga sulmet me dronë ukrainas në qytetet Horlivka dhe Makiivka.