Vera është stina, kur në Prishtinë dhe në të katër anët e këtij vendi ndodhë takimi midis dy Kosovave: Njërës, vendore, të brendshme, nëse mund të thuhet kështu, apo, të asaj që përbëhet prej banorëve rezidentë të saj, dhe tjetrës, të jashtme, të largët, të cilën e bëjnë qindra mijëra shqiptarë (supozohet deri në 800 mijë), të cilët me decenie të tëra jetojnë në Evropë, në SHBA, në Kanada, Australi, Zelandë të Re.
Vera e këtij viti, mbase edhe për shkak të vitin e kaluar nuk pati qarkullim të rëndomtë kah Kosova e brendshme, në vijim të pasojave të Pandemisë, është me siguri stina kur për çdo ditë dhe mbrëmje të lume, kuptohet se për çka flitet këtupari, kur përmenden dy Kosova të veçanta, të cilat bëhen së bashku për çdo verë.
Qytetet janë të mbushura me vetura. Shetitoret me kalimtarë. Restorantet dhe kafenetë me mysafirë. Dasmat po mbahen çdo mbrëmje.
Jeta po zhvillohet me atë ritmin 24/7.
Ndonjë të huaj që rastis të jetë këndejpari këto javë, askush nuk do të mund ta bindë që Kosova nuk qenka njeri prej destinacioneve më të preferuar turistik të kësaj ane të Evropës. Zatën, supozohet që të hyrat vetëm këtë verë nga kjo Kosova e jashtme (të cilën ne e quajmë edhe Diasporë, gjithsesi jo në përputhshmëri të plotë me domethënien e mirëfilltë të këtij nocioni), do të jenë 1.5 miliardë Euro. Nëse këstyre u shtohen edhe një miliardë Euro nga dërgesat e rregullta, (të cilat priten deri në fund të këtij viti), atëherë, del që të hyrat nga kjo Kosova e jashtme, 2.5 miliardë Euro, janë më të mëdhaja se sa Buxheti i Kosovës. Mund të llogaritet, tutje, që nëse shqiptarët e kësaj Kosovës së Dytë, vetëm 10% të të hyrave të tyre i harxhojnë me vizita në vendlindje dhe me dërgesa familijarëve të tyre, del që ata fitojnë diku 25 miliardë Euro në vit (rroga, biznese, etj), apo, sa gati tri Bruto Prodhime vjetore të Kosovës.
Kjo Kosova e dytë pra është në masë të madhe burimi kryesor i një stabiliteti, ndryshe, të brishtë social të Kosovës së parë.
Mund të merret me mend si do të ishim ne këndejpari, të mbipopulluar, pa këto të hyra financiare nga Perëndimi, pa këtë komunikimin thuaja të përditshëm në mes të asaj pjese të familjes që është jashtë, dhe kësaj që është brenda.
Kosova e jashtme, apo Kosova e dytë është një përzierje tri gjeneratash, të cilëve mund të ju shtohen edhe disa mijëra emigrantë politikë të pas-Luftës së Dytë Botërore.
Gjenerata e parë bëhet prej punëtorëve të cilët prej Kosovës, veçmas kah Gjermania dhe Zvicra, udhëtuan në të shtatëdhjetat e tetëdhjetat.
Gjenerata e dytë, më masivja, është kryekëput rezultat i okupimit të egër të Serbisë në vitet e nëntëdhjeta, dhe i Planeve të regjimit të Slobodan Miloševićit për ‘Spastrimin e heshtur etnik’ të Kosovës, kur qindra mijëra shqiptarë të Kosovës u detyruan të largohen nga Kosova.
Gjenerata e tretë, ajo pas çlirimit (të vitit 1999), bëhet prej dhjetëra mijëra kosovarëve të cilët u zhgënjyen nga shpërputhja midis pritjeve të tyre për Kosovën e re, të lirë, më pas edhe të pavarur, dhe realitetit kosovar.
E përbashkëta e këtyre tri gjeneratave është mbajtja e lidhjeve të tyre me Kosovën si Atdhe të tyre.
E përbashkëta tjetër e kësaj Kosove të jashtme dhe tjetrës, Kosovës së brendshme, është dëshira që shteti i Kosovës të bëhet pjesë politike dhe ekonomike e Evropës, e Bashkimit Evropian.
Që gjeografia që nuk mund të ndërrohet dot (se këtu kemi qenë dhe jemi Evropë), dhe Qytetërimi i cili poashtu nuk ka si të ndryshohet (jemi Perëndim), të konfirmohen me bërjen e Kosovës pjesë e familjes ushtarake (Aleanca Veri-Atlantike, Pakti NATO), dhe politike-ekonomike (Bashkimi Evropian).
Kjo Kosova e Dytë, e jashtmja, është integruar gjithqysh në Evropë dhe në Perëndim. Me ligje, me orar të punës, me të hyra, me biznese, me ndërmarrësi, me kulturë, me organizim. Me liri të lëvizjes, me të qenit BE. Madje, kohëve të fundit edhe me politikë: Nuk do të shkojë shumë kohë kur shqiptarët nga Kosova do të jenë pjesë e shumicës së Parlamenteteve të shteteve evropiane ku jetojnë.
Kjo Kosova e Parë, e brendshmja, ka mbetë disi në gjysmë të një rruge të njëkahshme kah Evropa dhe Perëndimi (sepse realisht ne nuk kemi dhe nuk mund të kemi rrugë tjetër, pos kësaj që të çon në Evropë dhe në Perëndim).
Sot, realisht, në Kosovë ka më pak Evropë dhe Perëndim, se sa që ka pasur në ato vitet e para të pasluftës, apo të çlirimit.
Këtu, poashtu, ka më pak entuziazëm për atë ‘Agjendën Evropiane’, të arritjes së Kosovës në ‘Stacionin politik’ të Brukselit, se sa që ka pasur në ditët dhe javët e para pasiqë Kuvendi i Kosovës shpalli pavarësinë e Kosovës.
Më në fund, qytetarët e Kosovës së parë ndihen (me të drejtë, duhet shtuar këtu), të diskriminuar prej BE-së, me faktin që tre vjet e gjysmë pasiqë e përmbushëm kriterin e fundit për Liberalizimin e vizave, ata ende nuk mund të udhëtojnë lirshëm, vetëm me një pasaportë (biometrike), për Evropë, për Zonën e Schengenit.
Te tri këto situata janë realisht burime të drejpërdrejta të një ‘depresioni politik’, i cili po bëhet gjithnjë e më i vërejtshëm në Kosovë, si në skenën politike të Kosovës ashtu edhe tek të gjithë qyetarët e Kosovës së Parë.
Madje ky depresion, individual dhe kolektiv, e ka edhe një hise të veten në rritjen e problemeve në trajtimin e temave kryesore politike dhe kulturore, në mes të përfaqësuesve të dy Kosovave.
Kjo është fare e kuptueshme. Në realitet.
Ata vijnë nga Evropa, ne jemi ende larg saj.
Ata janë të integruar në Evropë. Ne ende e kemi problem integrimin e plotë politik të Kosovës.
Megjithatë, këto dy Kosova bëjnë një të vetmen, kur bëhet fjalë për ardhmëninë e shtetit të Kosovës, dhe bërjes së këtij shteti pjesë e NATO-s dhe e BE-së.