Klubi anglez Southampton është zyrtarisht nën hetim nga EFL, pasi akuzohet se ka spiunuar stërvitjet e Middlesbrough FC para ndeshjes së “play-off”-it për inkuadrim në Premier League.
Sipas mediave britanike, një analist i Southamptonit dyshohet se është kapur duke filmuar fshehurazi seancën stërvitore të Middlesbrough vetëm pak ditë para gjysmëfinales së Championship-it. Raportohet se personi në fjalë ishte fshehur pranë qendrës stërvitore dhe kishte incizuar ushtrimet taktike të skuadrës rivale.
EFL ka konfirmuar se Southampton është akuzuar për shkelje të rregullores 3.4 dhe 127, që kanë të bëjnë me “sjelljen me mirëbesim ndaj klubeve tjera” dhe ndalimin e vëzhgimit të stërvitjeve të kundërshtarëve brenda 72 orëve para ndeshjes. Çështja tashmë i është dorëzuar një komisioni të pavarur disiplinor.
Klubi i Southamptonit ka reaguar me një komunikatë të shkurtër, duke bërë të ditur se do të bashkëpunojë plotësisht me hetimet, por pa dhënë detaje shtesë për rastin.
Ky skandal ka rikthyer kujtimet e “Spygate” të famshëm të vitit 2019, kur Marcelo Bielsa dhe Leeds United u gjobitën me 200 mijë funte për spiunimin e Derby County. Pas atij rasti, EFL kishte ashpërsuar rregullat për vëzhgimin e stërvitjeve të kundërshtarëve.
●●●
LSHKRIMI NGA
L
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.