Ambasadori i Malit të Zi në Kosovë, Bernard Çobaj, ka vlerësuar se interesimi i lexuesve është zhvendosur kryesisht drejt librave për vetëndihmë, ndërsa letërsia cilësore po mbetet në plan të dytë.
Duke folur në emisionin Rubikon në Klan Kosova, Çobaj tha se këtë përfundim e ka nxjerrë edhe nga përvoja e tij si një nga ideatorët e themelimit të librarisë së parë në Ulqin me tituj në gjuhën shqipe.
“Si njëri nga ideatorët e themelimit të librarisë së parë në Ulqin me tituj të gjuhës shqipe, mund të konkludoj se librat që më së shumti blihen janë manualet për vetëndihmë, si ‘si të bëhesh i pasur’, ‘si të bëhesh i lumtur’ e të ngjashme”, tha Çobaj.
Sipas tij, letërsia cilësore nuk po gjen të njëjtin interes te lexuesit, si në Mal të Zi ashtu edhe në Kosovë.
“Letërsia cilësore nuk besoj se lexohet aq shumë. Nga kontaktet që kam pasur me qytetarë, si në Mal të Zi ashtu edhe në Kosovë, shpesh kur përmend ndonjë titull që besoj se duhet të jetë pjesë e dijes së përgjithshme, shumë njerëz nuk reagojnë fare, pasi nuk e kanë as idenë se për çfarë libri bëhet fjalë. Kështu që në atë drejtim e vërej se nuk lexohet mjaftueshëm”, u shpreh ambasadori. /Klankosova.tv
●●●
Shpërndaje këtë artikull
L
SHKRIMI NGA
L
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.