Në Rahovec, sot fillon festivali tradicional “Hardh Fest”, me aktivitete të vazhdueshme që kultivojnë e kujtojnë traditën dhe kulturën rahovecase për të gjithë vizitorët, promovon verërat, rrushin dhe produktet tjera lokale, duke i kurorëzuar të gjitha këto të mira me muzikë LIVE në fund.
“Hardh Fest”, me sloganin “Për Kokërr t’Qefit” zgjat deri të dielën, më 7 shtator, ku kulmon me koncert dhe performancë nga artistë të njohur vendor e të huaj, transmeton Klankosova.tv.
Gjithçka fillon nga ora 12:00 me Karnavalin e Vreshtarëve ku parakalojnë mekanizmat bujqësorë dhe më pas përcillet me prerjen ceremoniale të kalaveshit të rrushit, aktivitete këto që e hapin edhe zyrtarisht festivalin.
"Hardh Fest 2025" premton një super edicion dhe një ndër risitë kryesore është se festivali është pa bileta.
Gjatë ditës zhvillohen aktivitete të shumta atraktive për vizitorët si garat në vjelje e shtrydhje të rrushit, demonstrimi i pjekjes së rakisë së rrushit, aktivitete për fëmijë, ekspozita e shumë aktivitete tjera, ndërsa në mbrëmje mbahet koncerti ku performojnë artistë të shumtë e të njohur, vendorë e ndërkombëtarë.
Sivjet artisti kryesor është sensacioni i Eurovision 2025 dhe jo vetëm, Tommy Cash, që do të performojë të dielën, bashkë me Elita 5, Aleksandër Gjoka dhe DJ Acer.
Sonte performojnë Aurela Gaçe, NRG Band, Naser Dula, Hysen Kafexhiu dhe DJ 029, ndërsa nesër Armend Rexhepagiqi, Arilena Ara, Xuxi dhe DJ Enndzi.
Festivali mbahet nën patronatin e kryetarit te komunës, Smajl Latifi.
●●●
AHSHKRIMI NGA
Albina Haxholli
Editorial nga Klan Kosova — ndjek kulturë dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.