Lajmet e fundit
Dy rivalët më të mëdhenj në basketbollin tonë, Peja dhe Sigal Prishtina, do të ndeshen në ndeshjen e dytë finale të play-off-it.

Kampionia në fuqi udhëheq me seri 1:0 pasi të dielën e kaluar ka shënuar fitore në duelin e parë me rezultat 92-73.
Ballafaqimi i sontem në pritet të jep një lojë të fortë, e dramatike deri në fund. Peja më të gjitha forcat do të provojë që mposht Sigal Prishtinën, sepse fitorja do t’i kryente punë të madhe fitueses së Kupës Kosovës.
Basketbollisti i Pejës, Alban Veseli, është i bindur se skuadra e tij do të bëjë paraqitje më të mirë se sa në sfidën e parë.
“Do të paraqitemi më mirë sesa në Prishtinë, duke u bazuar në faktin se në ndeshjen e parë asgjë nuk na ka shkuar për dore. Natyrisht presim ndihmë të madhe nga tifozët tanë të flaktë ‘Shqiponjat’ që asnjëherë në këtë edicion nuk na kanë lënë vetëm. Jemi të mobilizuar për të dhënë një shfaqje të mirë. Luajmë në shtëpinë tonë dhe kjo na motivon shumë. Jemi të kompletuar dhe kjo është një arsye e mirë për të besuar në triumf”, tha Veseli.
Ndërkohë, qendra e Sigal Prishtinës, ka thënë se skuadrën e tij e pret një ndeshje e vështirë, por ai thotë se Sigal Prishtina në Pejë udhëton për fitore.
“Është finalja e dytë, andaj edhe është një ndeshje e vështirë. Jemi në epërsi në seri të fitoreve. Jemi të përgatitur maksimalisht dhe shkojmë në Pejë për të shënuar fitoren e dytë radhazi. Forca e Prishtinës është loja kolektive dhe kualiteti i lojtarëve. Do të hyjmë në fushë që të japim maksimumin dhe të vazhdojmë me seri të fitoreve në finale”, ka theksuar Mazreku.
Përballja mes Pejës dhe Sigal Prishtinës nis në orën 19:30.