Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë ka mbajtur një konferencë të jashtëzakonshme për media para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.
Drejtori i saj, Kushtrim Ahmeti, tha se i gjithë procesi i liberalizimit të tregut të energjisë elektrike në Kosovë është përcjellë me shumë shkelje.
Ai tha se do të dorëzojnë një kërkesë në Qeveri, në ZRrE dhe në KEK që ky proces të shtyhet.
“Përpos që ne kemi thënë se ky proces nuk duhet të vazhdojë në këtë formë, është vërtetuar edhe nga BE-ja i cili ka rekomanduar që ky proces të shkojë hap pas hapi”, tha ai.
Sipas Ahmetit, situata te bizneset është shumë e vështirë. Ai tha se shumë prej tyre po i mbyllin repartet e tyre.
“Një pjesë e tyre i kanë ndërprerë planet e tyre për investime, disa kanë ndërprerë edhe kontratat me partnerët e tyre jashtë, të tjerë janë duke i zgjeruar investimet e tyre jashtë vendit, në rajon, për shkak të ofertave shumë më të favorshme që po i ofron Kosova”, tha Ahmeti.
Një numër i madh i bizneseve i kanë fituar rastet e tyre në Gjykatën Komerciale, tha Ahmeti, teksa shtoi se edhe gjykata i ka konstatuar shkeljet që i ka bërë ZRrE-ja duke pezulluar daljen e tyre në treg të hapur dhe duke detyruar ZRrE-në që t’i kthejë këto biznese me furnizim të rregullt, siç ka qenë më herët. /Klankosova.tv
●●●
ASHKRIMI NGA
A
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.