Trajneri i Liverpoolit, Arne Slot, ka konfirmuar se klubi ka arritur marrëveshje me Parmën për transferimin e mbrojtësit italian Giovanni Leoni, ndërsa ka refuzuar të zbulojë detaje rreth mundësisë për të transferuar kapitenin e Crystal Palace, Marc Guehi.
Leoni, 18 vjeç, pritet t’i nënshtrohet vizitave mjekësore sot në Liverpool, pasi mori leje nga Parma për të udhëtuar në Angli dhe për të kompletuar transferimin me vlerë 35 milionë dollarë. Mbrojtësi i ri do të forcojë repartin defensiv të “The Reds” pak para fillimit të sezonit të ri në Premier League.
Slot tha se marrëveshja për Leonin është e kryer, por ende nuk është zyrtarizuar.
“Klubet kanë rënë dakord, por ai ende nuk ka nënshkruar. Kur të nënshkruajë, do të mund të flas me më shumë detaje”, tha ai.
Sa i përket Guehit, trajneri holandez theksoi se nuk mund të komentojë për një lojtar që nuk i përket Liverpoolit.
“Ai është kapiteni i skuadrës që na mundi fundjavën e kaluar. Nëse doni mendime për të, pyesni Crystal Palace dhe trajnerin e tyre, Oliver Glasner”, u shpreh Slot.
Leoni pritet të përfshihet menjëherë në skuadrën e parë, por me gjasë nuk do të jetë në formacionin startues për ndeshjen e së premtes kundër Bournemouth, për shkak të afatit të ngushtë pas vizitave mjekësore.
Liverpooli thuhet se ka mposhtur Interin dhe Milanin për shërbimet e tij, ndërsa interes të vonë kanë treguar edhe Manchester United e Newcastle.
Në anën tjetër, marrëveshja për Guehin mbetet ende e hapur. Palace kërkon rreth 46 milionë euro, ndërsa Liverpooli është i gatshëm të ofrojë 35 deri në 41 milionë euro. Nëse palët nuk arrijnë akord, mbrojtësi anglez mund të largohet si lojtar i lirë verën e ardhshme kur i skadon kontrata. /Klankosova.tv
●●●
ASHKRIMI NGA
A
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.