Lajmet e fundit
The Guardian e ka realizuar një intervistë me një vajzë siriane e cila ishte trafikuar dhe shfrytëzuar si një skllave seksi. Rama është një 24 vjeçare e cila kishte marrë premtime për punë në një restorant në Liban mirëpo pasi shkoi atje kishte kuptuar që kishte rënë pre e trafikimit. Vetëm pak kohë më parë ajo së bashku me katër gra të tjera kishin arritur që të iknin.

Vajza nga Siria preket shumë kur kujton muajt që kishte kaluar si një skllave sekse në Liban dhe tregon se si kur qëndroi atje kishte humbur edhe besimin.
“Të them të drejtën nuk kam më besim pas asaj që ndodhi. Kjo pasi që kur më rrihnin unë i lutesha Zotit dhe trafikanti më thoshte se si mendoja që Zoti do më ndihmonte e kështu më rrihte më shumë”.
Rama (ky është emër i trilluar për shkaqe sigurie), i kishte thënë gazetares se ishte e detyruar që të kryente së paku 10 herë në ditë seks me të panjohur, transmeton Klan Kosova.
“Ne flinim aty ku punonim dhe ishte e ndaluar që të dilnim jashtë madje as për ta parë dritën. Tërë dritaret ishin të mbuluara me zi e ne nuk guxonim as ta shikonim dritën e të merrnim ajër të pastër”.
Rama përshkruan se si ishte mashtruar nga një njeri i cili i kishte thënë se po të shkonte në Liban do të fitonte 1 mijë dollarë në muaj.
Ajo gjatë intervistës tregon se burri i kishte thënë se do të kujdesej për të gjithë dokumentacionin që kishte nevojë.
Rama tregon se në momentin kur arritën në Liban i treguan se ajo do të punonte si një prostitutë.
“I thash që nuk doja të punoja si një prostitutë e ai më tha se do të shkoja atje doja apo nuk doja unë. Pas kësaj ai filloi të më rrihte. Më rrahu derisa mbeta pa ndjenja e atëherë pranova”.
Ajo tregon se numri i klientëve dyfishohej në vikend dhe tregon se aty kishte edhe vajza të cilat humbën virgjërinë pikërisht në atë vend.
Ajo gjithashtu shprehet se gratë të cilat ngeleshin shtatzënë me klientë detyroheshin që të kryenin aborte që ishin ilegale në Liban. Sipas Ramas, shumica prej vajzave ishin shumë të reja në moshë dhe që kishin humbur familjarët gjatë luftës e për këtë arsye askush nuk i kërkonte ato.
Ndonëse ajo ka shpëtuar dhe ka arritur të ikë nga ai vend për punën e saj ilegale në Liban nuk e dinë askush.
“Nuk mund thjesht t’i tregoj motrës, më falni për gjuhën por unë atje kam punuar si një lavire. Nuk mund t’i them e dashur motër unë kam qenë një lavire. Ose këtë gjë t’ia them vëllait tim. E kaluara ime nuk është diçka e lehtë për të treguar”, u shpreh Rama.