Ky është fundi i një epoke. Është shumë e vështirë të imagjinohet Italia pa Silvio Berlusconin, edhe pse ajo është përballur me identitetin e saj në një epokë post-Berlusconi.
Për pesëdhjetë vitet e fundit, hija e tij u duk e madhe mbi parlamentin, mediat, futbollin dhe njeriun në rrugë.
Përmes një videoje të hënën, kryeministrja Giorgia Meloni vlerësoi "guximin dhe vendosmërinë e tij", duke e quajtur atë një nga njerëzit më me ndikim në historinë e vendit.
"Me të, Italia mësoi se nuk duhet të lejojë kurrë të kufizohet dhe nuk duhet të dorëzohet kurrë" ,tha ajo.
Në kulmin e fuqisë së tij, duke mbajtur një shami shumëngjyrëshe në bordin e jahteve në Mesdhe, Silvio Berlusconi mund të kishte kaluar si një pirat.
Por ai pati një ndikim të jashtëzakonshëm në shoqërinë dhe politikën italiane dhe ishte subjekt i hetimeve civile dhe penale shumë komplekse.
Fillimisht ai shijoi emocionet e një publiku adhurues si këngëtar i anijeve turistike dhe kjo përvojë e të qenit në qendër të skenës do të përcaktonte jetën e tij të rritur.
Si një manjat mediatik i frymëzuar nga rrjetet amerikane, ai transformoi televizionin italian. Gratë me veshje më të pakta do të definonin shumë nga programet e tij, ashtu si do të përcaktonin jetën e tij private.
Kjo çoi në një ndryshim të kulturës për italianët, të cilët papritmas ishin në gjendje të shikonin programe televizive me shaka politikisht jokorrekte dhe "velina", një fjalë italiane që do të thotë "shoë girls".
Për dekada të tëra, televizioni italian - i udhëhequr nga transmetuesi publik RAI - kishte qenë rigoroz dhe serioz. Berlusconi vendosi që të vinte audiencën në radhë të parë dhe shpiku i vetëm televizionin komercial në Itali.
Edhe sot, nëse kërkoni kanale televizive italiane, në mënyrë të pashmangshme do të hasni në vajza të reja gjysmë të zhveshura.
Përpjekja e Berlusconit në politikë nuk u nxit nga zelli ideologjik, aq sa ishte një dëshirë për të mbrojtur interesat e tij të biznesit në rritje.
I zgjedhur katër herë kryeministër, ai i bëri thirrje një game të gjerë votuesish. Ish-argëtuesi preu një figurë shumëngjyrëshe, në kontrast të plotë me tipat intelektualë më të rezervuar që kishin përshkuar më parë kursin e Italisë.
Por njeriu i quajtur "Il Cavaliere" (Kalorësi) i ndau italianët, po aq sa për politikat e tij - duke përfshirë vendimin e tij të diskutueshëm për t'iu bashkuar pushtimit të Irakut të udhëhequr nga SHBA-ja – poashtu edhe për gjithë qasjen e tij ndaj jetës.
Këtë e pashë vetë kur e intervistova për BBC-në në vitin 2018. Në fund të bisedës sonë, me kamerat që ende po xhironin, ne shtrënguam duart.
Me shpejtësi më tha: "Mos i shtrëngo duart aq fort! Burrat do të tremben prej teje dhe askush nuk do të martohet me ty!" Kur u përgjigja, duke sugjeruar se një shtrëngim duarsh i fortë ishte një gjë e mirë, ai buzëqeshi dhe tha se po bënte vetëm shaka: "Duhet të bëni shaka herë pas here"
Kjo më bëri përshtypje si një shembull se përse kaq shumë italianë e urrenin atë, për sjellje të dukshme seksiste dhe mosrespektuese, ndërsa të tjerët e adhuronin si "njeri i popullit".
Siç shkruante shkrimtari Curzio Malaparte, cilësitë dhe defektet e Berlusconit "janë cilësitë dhe defektet e të gjithë italianëve".
Në të vërtetë, shumë gazeta italiane e vlerësojnë atë për shpikjen e populizmit në Itali. Disa politikanë të krahut të djathtë nga vitet 2010 janë krahasuar me të – përfshirë Donald Trump.
Berlusconi ishte kyç në lejimin e së djathtës ekstreme për të hyrë në politikën kryesore. Ai krijoi aleanca me Lidhjen e Veriut - një parti që bëri thirrje që një pjesë e Italisë veriore të bëhej e pavarur - dhe me post-fashisten “Alleanza Nazionale”, nga e cila erdhi partia e kryeministres aktuale, Giorgia Meloni.
Vetë Giorgia Meloni u bë fillimisht një politikane e njohur nën krahun e Berlusconit - duke shërbyer si ministre e re në qeverinë e tij të fundit.
Më shumë se çdo gjë, Berluskoni donte të bënte përshtypje. Ai e transformoi vilën e tij në Arcore në një pallat me piktura të Rilindjes dhe vila e tij në Sardenjë dukej si një park tematik - duke përfshirë një vullkan të rremë që nxirrte llavë.
Hetuesit do të zbulonin se këto vila vizitoheshin rregullisht nga vajza dhe modele, ku merrnin dhurata dhe zarfe të mbushura me para.
Në fund të fundit, nuk ishin partitë e "bunga bungas" që e zhbënë atë, por paaftësia e tij për t’u ballafaqur pasi borxhi i Italisë arriti nivele të paqëndrueshme në 2011-ën.
Rënia e tij politike erdhi gjatë krizës financiare, kur italianët e konsideruan atë përgjegjës për rritjen anemike të vendit.
Hetimet e panumërta penale për ryshfet dhe korrupsion - dhe pasojat nga festat famëkeqe të seksit “bunga bunga” - dëshmuan gjithashtu një shpërqendrim të vazhdueshëm.
Cila është trashëgimia politike e Berlusconit? Kaloi shumë pak reforma politike. Ai dukej më shumë i shqetësuar për menaxhimin e imazhit të tij, sesa për drejtimin e një vendi.
Por ngritjet dhe uljet e tij hipnotizuan një komb.
(Publikuar në BBC, përkthyer nga Klan
●●●
SZSHKRIMI NGA
Sh Z
Editorial nga Klan Kosova — ndjek kolumne dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.