Sonte në kryeqytet, Sigal Prishtina e ka fituar ndeshjen e parë të finales së play-off-it, duke mundur Pejën, me rezultat 92-73.
Ballafaqimi mes këtyre dy ekipeve rivale është zhvilluar në një atmosferë të bukur sportive të krijuar nga tifozët prishtinas “Plisat”.
Sigal Prishtina, e cila pak ditë më parë bëri historinë duke fituar trofeun e Ligës Ballkanike, tani synon ta fitojë edhe titullin e kampionit në vendin tonë.
Skuadra “bardhekaltër” e nisi lojën duke dominuar në parket, por edhe në rezultat. Sigal Prishtina në pushim shkoi me dhjetë pikë epërsi me rezultat 53-43.
Kryeqytetasit edhe në periudhën e tretë dhe të katërt janë treguar ekip dominues në duel me pejanët, derisa këta të fundit megjithë angazhimin e tyre, nuk ia dolën që të përmbysin epërsinë e prishtinasve.
Ndeshja e dytë finale luhet pas tri ditë në Pejë.
●●●
LHSHKRIMI NGA
L H
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.