Paraqitje fantastike e Sigal Prishtinës në ndeshjen e saj të 4-t në “Fiba Europe Cup”. Në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, skuadra kryeqytetase mposhti me rezultatin 66-62 rumunët e Energia Rovinari duke regjistruar suksesin e dytë Grupin K. Më i miri mbi parket për Sigal Prishtinën ishte amerikani Mohamed Abukar, i cili e mbylli sfidën me 19 pikë, 2 rebound dhe 2 asiste. Për skuadrën e Marjan Ilievskit pas kësaj fitoreje rriten ndjeshëm shanset për të avancuar në raundin e 32 më të mirave të “Fiba Europe Cup”.
Përballë Energisë që vinte në këtë ndeshje pas tre fitoreve në 3 ndeshjet e para të Grupit K, Sigal Prishtina nuk e nisi aspak mirë. Rumunët realizuan 5 pikët e para të ndeshjes duke vendosur menjëherë në vështirësi kampionët e Kosovës. Gjithsesi Sigal Prishtina gjeti forcën për të reaguar dhe falë lojës së mirë të dyshes Abukar-Marinov e mbylli periodën e parë në barazim 19-19. Edhe 10 minutëshi i dytë ishte shumë i baraspeshuar me Sigal Prishtinën që shënoi vetëm një pikë më shumë në këtë fraksion loje duke shkuar në pushim me një avantazh të lehtë.
Perioda e tretë ishte e gjitha nën shenjën e skuadrës së Marjan Ilievskit që falë një rezultati të pjesshëm 24-13 i coi shifrat 59-47 në favor të saj. Sigal Prishtina i lëshoi disi terren Energisë në periodën e 4-t, por kryeqytetasit arritën të menaxhonin avantazhin duke e fituar sfidën me shifrat përfundimtare 66-62. Pas 4 ndeshjeve të para në Grupin K, Sigal Prishtina mban vendin e 3-të në kuotën e 6 pikëve, dhe ka shanse të mira për të avancuar më tej. Përvec amerikanit Abukar për kampionët e Kosovës në këtë sfidë spikati edhe bullgari Stanimir Marinov me 8 pikë 10 asiste dhe 3 rebound. Për të regjistruar një fitore më të thellë Sigal Prishtinës i munguan finalizimet e Dardan Berishës që koleksionoi në total vetëm 3 pikë por gjithsesi ndihmoi të tijët me plot 11 asiste, shkruan supersport.al
●●●
ABSHKRIMI NGA
A. BA
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.