Lajmet e fundit

Persona të panjohur në orët e mëngjesit kanë tentuar që të grabisin tre bankomate në rrugën magjistrale Ferizaj-Prishtinë në afërsi të pikës së karburantit “Hib Petroll".
Policia e Kosovës ka njoftuar se me të arritur në vendin e ngjarjes, të dyshuarit kanë filluar të shtënë me armë zjarri në drejtim të veturës së policisë.
Shkëmbimit të zjarrit, i janë përgjigjur zyrtarët policor dhe të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes me një veturë karavan, në drejtim të panjohur.
Në veturë dyshohet se ishin katër persona me armë të gjata.
“Ekipe të policisë menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes në asistim të patrullës së policisë, e më pas në vend të ngjarjes kanë dalë hetuesit dhe krimteknikët rajonal, të cilët nën autorizim të prokurorit kujdestar, i cili edhe ai ka dalë në vendin e ngjarjes, i kanë nisur hetimet”, thuhet në komunikatën e Policisë.
Gjithashtu në vendin e ngjarjes ka dalë edhe Njësia e Deminimit e Policisë së Kosovës.
“Nga hetimet e para hetuesit rajonal kanë mësuar se cak i personave të maskuar ishin 3 bankomatet që gjenden skaj rrugës magjistrale në parkingun e qendrës tregtare " Superviva" në Ferizaj”.
“Personat e maskuar fillimisht me një mjet plasës kanë shpërthyer njërin bankomat, ndërsa kanë dëmtuar edhe dy bankomatët tjerë, mirëpo falë intervenimit të shpejtë të policisë, posa arrinë patrulla e parë policore, të dyshuarit fillojnë të shtënë në drejtim të veturës së policisë dhe të largohen nga vendi i ngjarjes”.
Të dyshuarit në këtë rast kanë përdorur mjet eksplozivi në bankomat dhe pushkë automatike në drejtim të policëve në veturën e policisë.
“Hetuesit rajonal pasi kanë kryer ekzaminimet në vendin e ngjarjes, në bashkëpunim edhe me njësitet tjera të policisë rajonale janë në kërkim të personave të dyshuar”.
Rasti është cilësuar "Vrasje e mbetur në tentativë, grabitje e armatosur e mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje”.