Ndikimi i mediave sociale në shëndetin mendor ka qenë një çështje e debatuar shpesh. Por kjo çështja kohët e fundit ngriti shqetësime pasi sinjalizuesi Frances Haugen, një ish-punonjëse në Facebook, zbuloi ndikimin e dëmshëm të Instagram-it në shëndetin mendor dhe vetëvlerësimin e vajzave adoleshente.
Një artikull i “Wall Street Journal”, ndau gjetjet e studimit të brendshëm të Facebook, sipas të cilit, 32 përqind e vajzave adoleshente thanë se ndiheshin keq për trupin e tyre, Instagram-i i bëri ato të ndiheshin edhe më keq.
Hulumtimet tregojnë se kë ndiqni ka një ndikim të madh në atë se si ndiheni për veten ose trupin tuaj. Nëse ndjekni faqe të lidhura me pamjen, atëherë ju mbani standarde jorealiste se si duhet të dukeni dhe të ndiheni edhe më keq për veten.
“Një sondazh, i kryer në mbi 1 mijë e 244 gra, të moshës 15 deri në 65 vjeç, në 20 qytete indiane, përfshirë Delhi NCR, Mumbai, Bengaluru, Hyderabad dhe Chennai, zbuloi se 76 përqind besojnë se portretizimi i bukurisë në media kontribuon për turpin e trupit. Përsëri, 89 përqind e grave raportuan se ndiheshin jo mirë për veten e tyre kur lexonin komente në mediat sociale për paraqitjet e njerëzve të tjerë", ka thënë psikologu indian Ketaki Natekar.
Por si mundet që aplikacionet e rrjeteve sociale të lënë një përshtypje kaq të thellë? Një arsye kryesore, siç vërejnë ekspertët, është se një pjesë e rëndësishme e ditës suaj sillet rreth mediave sociale. Në fund të fundit, është bërë një nga mënyrat më të përshtatshme për të kaluar kohën, pavarësisht nëse jeni duke pritur për dikë ose diçka, ose për të shmangur mërzinë. Me gjithnjë e më shumë kohë të investuar në botën virtuale, është ajo që formon kuptimin e realitetit. Ironikisht, ajo që shihni në ekran është vetëm gjysmë e vërtetë dhe ndonjëherë, aspak e vërtetë.
“Vetja jonë virtuale është e ndryshme nga vetja reale. Nëse një person shpërfillet në mediat sociale dhe nuk merr pëlqime dhe komente në një postim, mund të ndihet i trishtuar, i irrituar dhe madje edhe në ankth”, ka thënë psikologu indian Satish Kumar.
"Me shumë filtra dhe redaktime fotografish të disponueshme, paraqitjet që ne ndjekim janë shpesh jo reale. Sa më shumë kohë që kalojmë në internet, aq më pak kohë kalojmë në ndërveprime reale ballë për ballë duke ndikuar kështu në mirëqenien tonë të përgjithshme dhe duke zvogëluar shanset për t'u takuar dhe bashkëvepruar me frymëzimet e vërteta", ka shtuar ai.
Një mënyrë e thjeshtë për të përballuar është të vendosni kufij realistë se sa kohë dëshironi të kaloni në mediat sociale.
●●●
ASHKRIMI NGA
A.B
Editorial nga Klan Kosova — ndjek shëndet dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.