Lajmet e fundit

Përmes një reagimi në platformën X, ministria shqiptare ka theksuar se plagët e luftës në Kosovë mbeten ende të hapura dhe se çdo zbulim i tillë përbën një hap drejt identifikimit të viktimave dhe vendosjes së drejtësisë, transmeton Klankosova.tv.
“Zbulimi i një varreze tjetër masive në Kalludër të Kosovës është një kujtesë e dhimbshme se plagët e luftës në Kosovë mbeten ende të hapura. Çdo zbulim i tillë nuk është vetëm një hap drejt identifikimit të viktimave, por edhe një dëshmi që flet vetë”, thuhet në reagimin e ministrisë.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë ka theksuar se për familjet që prej më shumë se dy dekadash presin të mësojnë fatin e të afërmve të tyre, çdo identifikim përfaqëson një hap drejt dinjitetit, së vërtetës dhe drejtësisë.
Gërmimet në Kalludër të Zubin Potokut po zhvillohen nën dyshimet për gjetjen e një lokacioni ku mund të jenë varrosur viktima të luftës së fundit në Kosovë.