Një-32 vjeçar, baba e dy fëmijëve të vegjël, ka gjetur vdekjen në orët e para të mëngjesit të sotëm në një aksident automobilistik në aksin rrugor Zvezde-Shëngjergj. Fatjon Sulokoka ka qenë duke u kthyer në banesën e vet në fshatin Shëngjergj, me mjetin me targa AA 586 IO, kur vetëm 1 km pa shkuar pranë familjes ka mbetur i vdekur në vend, pas një përplasjeje me shkëmbin në anë të rrugës.
Policia ka bërë të ditur se mjeti që drejtohej nga 32-vjeçari në momentin e aksidentit ka qenë duke lëvizur me një shpejtësi tej normave të lejuara, por specialistë të qarkullimit nisur nga ora kur ka ndodhur aksidenti nuk e përjashtojnë mundësinë e përgjumjes së drejtuesit në momentin e aksidentit.
Kjo nisur dhe nga frenimi që Fatjon Sulokoka ka bërë në mënyrë të papritur në një kthesë të butë të këtij aksi rrugor. Nga frenimi, por dhe shpejtësia e madhe, 32-vjeçari duket se e ka pasur krejt të pamundur kontrollin e mjetit, i cili pas përplasjes në anë të rrugës ka bërë dy rrotullime në rrugë të cilat kanë rezultuar fatale për 32-vjeçarin, baba i dy fëmijëve. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në orën 01.30 të së dielës dhe drejtuesi i mjetit ka qenë duke udhëtuar i vetëm në mjet.
●●●
AFSHKRIMI NGA
Arbër Fetahu
Editorial nga Klan Kosova — ndjek uncategorized dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.