Shkolla e Futbollit Pro Prishtina, ka bërë të ditur se gjatë një ndeshjeje të grupeve U13 B dhe U15 B kundër FC Lipjanit, një lojtar i tyre 11-vjeçar është sharë, ofenduar e kërcënuar nga tifozët vendas.
Sipas kësaj shkolle, tifozët kanë zbritur pranë bankinës së tyre, ku e kërcënuan drejtpërdrejt fëmijën me fjalët “këna me të vra”.
“Në minutën e 35-të të lojës, pas një ndërhyrjeje të zakonshme nga lojtari ynë 11-vjeçar, një pjesë e tifozëve vendas filluan ta shanin dhe ofendonin rëndë fëmijën me fjalor të ulët dhe kërcënime verbale, përfshirë sharje me nënë dhe gjuhë të papërshtatshme për një ambient sportiv”.
“Për fat të keq, ofendimet nuk u ndalën me kaq. Tifozët zbritën pranë bankinës sonë – në një fushë ku mungonin rrethoja apo masa sigurie – dhe e kërcënuan drejtpërdrejt fëmijën me fjalët “kena me të vra”. I frikësuar për jetën, fëmija u fsheh te bankina jonë, ndërsa ne si staf u detyruam të ndërpresim menjëherë ndeshjen dhe të grumbullojmë të dy grupmoshat brenda fushës deri në ardhjen e autobusit tonë”, thuhet në reagim, transmeton Klankosova.tv.
Tutje, Shkolla e Futbollit Pro Prishtina tha se nga fusha u larguan pa incidente fizike, por pasojat psikologjike kanë mbetur dhe se fëmija në fjalë është duke u trajtuar nga mjeku për shkak të traumës që pësoi nga kjo ngjarje.
“Ne e dënojmë fuqishëm këtë sjellje të turpshme dhe kërkojmë nga institucionet përgjegjëse, Federata e Futbollit dhe klubi FC Lipjani, që të ndërmarrin masa të menjëhershme për të garantuar sigurinë e fëmijëve në fushat sportive. Futbolli është për edukim dhe zhvillim – jo për frikësim dhe dhunë”.
“Admirit i dëshirojmë që ta kalojë sa më shpejt këtë traumë. Seancat e trajtimit tashmë kanë nisur dhe po vazhdojnë në klinikën psikologjike”, thuhet në reagim.
●●●
BSHKRIMI NGA
BM
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.