Lajmet e fundit

Ministri izraelit i mbrojtjes, Yoav Gallant do të udhëtojë të dielën për bisedime në Shtetet e Bashkuara, tha qeveria, mes tensioneve në rritje midis aleatëve për luftën në Gaza.
Gallant do të takohet me homologun e tij amerikan, Lloyd Austin, sekretarin amerikan të shtetit Antony Blinken, këshilltarin e sigurisë kombëtare, Jake Sullivan "dhe zyrtarë të lartë të tjerë", thuhet në një deklaratë, raporton The Guardian, transmeton Klankosova.tv.
“Palët do të diskutojnë zhvillimet në luftën kundër organizatës terroriste Hamas në Gaza, përpjekjet e ndërmarra për kthimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi në Gaza, përpjekjet humanitare dhe masat e nevojshme për të siguruar stabilitetin rajonal”, thuhet në deklaratë.
Vizita vjen pas turneut të fundit të Blinkenit në rajon, gjatë të cilit ai paralajmëroi se një ofensivë izraelite në qytetin jugor të Gazës, Rafah, do të ishte një "gabim" që "rrezikon të izolojë më tej Izraelin në mbarë botën".