Lajmet e fundit

Në përmbyllje të vitit 2015, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, u takua me përfaqësues të Qendrave Rinore të Kosovës. Në takim u diskutua për të arriturat e vitit 2015 në sektorin e rinisë.
Përfaqësuesit e Qendrave Rinore falënderuan Ministrin për mbështetjen që ka dhënë ai dhe MKRS-ja për qendrat e rinisë, sidomos në procesin e anëtarësimit të tyre në rrjetin më të madh evropian me seli në Strasburg. Gjithashtu, ata shprehën mirënjohjen për qasjen e hapur dhe bashkëpunuese që ka pasur ministri dhe ekipi i tij me grupet rinore dhe shoqërinë civile në përgjithësi.
Ndër të tjera, u diskutua edhe për çështjet që do të duhet t’i adresojë rishikimi i Strategjisë dhe Plani i ri i Veprimit 2016-2017 dhe hapat që do t’i ndërmerr MKRS-ja në ofrimin e mundësive për të rinjtë dhe grupet e të rinjve në informimin dhe qasjen më të lehtë të tyre në projektet dhe fondet rajonale dhe evropiane.
Ministri Shala u shpreh se rinia është një pasuri kombëtare e Kosovës dhe si e tillë është prioritet i Qeverisë dhe MKRS-së si përgjegjëse për zhvillimin dhe përkrahjen e këtij sektori.