Lajmet e fundit

"Do të ishte e vështirë të pritej përparim pas rreth dhjetë vjetësh pa ndonjë progres të vërtetë. Serbia asnjëherë nuk u zotua seriozisht për zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit. Ato nuk u nënshkruan dhe nuk pati angazhim të qartë nga Beogradi. Prandaj, nuk është realiste të pritet përparim, megjithëse shpresoj që ai të ndodhë," ka deklaruar Serwer.Ai shtoi se presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka treguar qartë mungesën e interesit për avancimin e dialogut, duke rikujtuar se procesi kërkon angazhim të barabartë nga të dyja palët. Serwer vlerësoi se Kosova duhet të vazhdojë të luajë një rol konstruktiv dhe të bashkëpunojë ngushtë me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara për ta mbajtur të hapur procesin e dialogut. Sipas tij, Bashkimi Evropian tashmë ka reflektuar mbi qasjen ndaj Kosovës, duke kuptuar se vendosja e masave ndëshkuese ndaj Prishtinës ishte një vendim i gabuar. Ai theksoi se institucionet evropiane kanë filluar ta kuptojnë gjithnjë e më shumë se Serbia nuk ka qenë konstruktive në proces. Serwer kërkoi gjithashtu një qasje më të vendosur nga Shtetet e Bashkuara ndaj Beogradit, duke argumentuar se Serbia është trajtuar me tepër butësi, si në raport me dialogun, ashtu edhe me çështjet që lidhen me korrupsionin dhe ndikimin rus. Në të njëjtën kohë, ai vlerësoi se Kosova ka forcuar pozitën e saj ndërkombëtare përmes angazhimit në nisma për paqe dhe bashkëpunim me aleatët perëndimorë, duke përfshirë pjesëmarrjen në mekanizma ndërkombëtarë dhe kontributin në misione humanitare. Sipas Serwer, vetëm një qasje më e vendosur e partnerëve ndërkombëtarë ndaj Serbisë dhe një angazhim i sinqertë i Beogradit mund të krijojnë kushte për zhbllokimin e dialogut dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura.