Gazetari Idro Seferi ka treguar se si është pritur vendimi i Qeverisë së Kosovës për targat dhe dokumentet e identifikimit.
Sipas Seferit, Vuçiq, në një konferencë për medie, të mbajtur pas takimit të tij me Lajçakun, tha se Kosova po mundohet të bëjë spastrim etnik të serbëve.
“Sipas tij, Kosova e ka bekimin e vendeve perëndimore për të shkaktuar incidente dhe gjithë qëllimi i vendimit të Qeverisë së Kosovës është të bëjë spastrim etnik. Olluja nënkupton stuhinë e kryer në vitin 1995 në Kroaci, kur u dëbuan serbët nga Kroacia dhe kjo është shprehje që Vuçiq e përdor shpesh dhe ai tha se Kosova ka plane për t’u futur në veri e për t’i dëbuar serbët nga atje”, ka thënë Seferi në Edicionin Special.
Ai tha se Vuçiq ishte paraparë të mbante konferencën për medie bashkë me Lajçakun, por që doli vetëm presidenti serb, i cili shpërtheu me kritika ndaj Kosovës dhe vendeve të Quintit.
Seferi shpjegoi se Vuçiqi vendimin e qeverisë për letërnjoftimet e pa si një sulm ndaj serbëve në Kosovë dhe, sipas Seferit, nuk mund të ketë një dialog të afërt mes të dy vendeve.
Ai tha se e vetmja gjë që Vuçiq mohoi është se do të ndërmarrë operacione ushtarake ndaj Kosovës ose të futet në veri me tanke, gjitha veprimet e tjera, sipas tij, u morën në konsideratë.
“Ai tha se serbëve nuk mund t’u merren pronat e tyre dhe e luti Kosovën të mendojë tri herë deri në fund të shtatorit para se vendimi të futet në fuqi dhe se kjo, sipas tij, do të arrihej me marrëveshje. Ajo që u duk e tensionuar është se serbët nuk do ta dëgjojnë Kosovën dhe Vuçiq paralajmëroi se mund të ketë bllokada të ndryshme nga serbët në Kosovë”, tha ai.
https://www.youtube.com/watch?v=Cq4FzWDPGT0
●●●
ASHKRIMI NGA
A.B
Editorial nga Klan Kosova — ndjek uncategorized dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.