Regjisori legjendar Martin Scorsese ka përfunduar një dokumentar të ri që përmban intervistën e fundit të detajuar me Papa Françeskun, i cili ndërroi jetë më 21 prill.
Filmi titullohet ''Aldeas – Një Histori e Re'' dhe fokusohet te puna e organizatës ndërkombëtare Scholas Occurrentes, e themeluar nga vetë Papa në vitin 2013. Qëllimi i organizatës është promovimi i dialogut kulturor dhe ndërtimi i asaj që Ati i Shenjtë e quante “Kultura e Takimit” mes të rinjve në mbarë botën.
Dokumentari përfshin biseda mes Scorsese-s dhe Papës Françesku, si dhe rrëfime të të rinjve nga Indonezia, Gambia dhe Italia, të cilët janë pjesë e programit edukativ Aldeas. Në kuadër të këtij programi, të rinjtë krijojnë filma të shkurtër si mënyrë për të shprehur realitetet dhe sfidat e tyre.
Producentët Aldeas Scholas Film dhe Sikelia Productions e kanë përshkruar dokumentarin si “një dëshmi e besimit të qëndrueshëm se kreativiteti nuk është vetëm një mjet shprehjeje, por një rrugë drejt shpresës dhe transformimit.”
Në një nga deklaratat e tij të fundit për projektin, Papa Françesku e kishte vlerësuar iniciativën si “jashtëzakonisht poetike dhe shumë konstruktive”, duke theksuar se ajo prek rrënjët e jetës dhe konflikteve njerëzore.
Regjisori 82-vjeçar Scorsese, i cili është takuar disa herë me Papën gjatë viteve, tha se për të dhe për Françeskun, ndarja e historive personale ka qenë thelbësore për ndërtimin e mirëkuptimit dhe respektit ndërkulturor.
''Tani, më shumë se kurrë, duhet të flasim dhe të dëgjojmë njëri-tjetrin. Kinemaja është mediumi më i mirë për ta bërë këtë'', u shpreh ai.
Data zyrtare e publikimit të dokumentarit nuk është bërë ende e ditur.
●●●
KKSHKRIMI NGA
Klan Kosova
Editorial nga Klan Kosova — ndjek kulturë dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.