Lajmet e fundit

Drejtori i futbollit në Artmotion, Arlind Sadiku tha se performanca e Kombëtares së Kosovës ndaj Rumanisë të premten mbrëma, ishte njëra prej më të mirave të saj.
Ani pse 'dardanët' u tërhoqën nga fusha pas thirrjeve raciste, ofendimeve e provokimeve nga ana e tifozëve rumunë, ata dhanë më të mirën e tyre, njofton Klankosova.tv.
Sipas Sadikut, Kosova pati plot shanse për gol, por Rumanisë i priu fati, asgjë më shumë.
Tutje gazetari Sadiku shton se kjo performancë do të rrisë vetëbesimin e futbollistëve kosovarë, pasi ata janë në rrugë të duhur, madje nëse vazhdojnë me këtë paraqitje, ata kanë mundësi të mira në ndeshjet kualifikuese të Kampionatit Botëror.
"Performanca ka qenë një prej më të mirave nga Kombëtarja jonë, dhe konsideroj se ka qenë një prej perfomancave më me pafat në mënyrën e mosrealizimit të golave, sepse dominuam në çdo aspekt Rumaninë", tha Sadiku në emisionin "Info Magazine" të Klan Kosova.
"Besoj se kjo performancë do të rrisë vetëbesimin e futbollistëve, jemi në rrugë të mirë, kemi tri fitore në ndeshjet e fundit, dhe shpresojmë që kështu të vazhdojmë në ndeshjet kualifikuese të Botërorit". /klankosova.tv