Work in progress. To be continued.
Janë këto dy thënie të cilat njihen fare mirë. E para më shumë ndërlidhet me punët ndërtimore apo edhe ato në investimet e mëdha. E dyta, më së shumti na kujtohet nga seritë televizive të mëparshme. Tash, punët qëndrojnë ndryshe. Në NETFLIX dhe gjetiu.
Por, këto dy thënie kur bëhen bashkë, mund lehtë të jenë përshkrimi më i saktë i mundshëm i historisë që është në ndodhje e sipër në thuaja të katër anët e Botës dhe që aktualisht ka, si krye-lojtar, SHBA-në e Presidentit Donald Trump.
E dimë të gjithë që të thuash, nuk ka pasur ditë të kotë a të mërzitshme që prej se Trump u kthye në Shtëpinë e Bardhë, në janarin e vitit të kaluar.
Presidenti i 47-të i Republikës Amerikane e cila sivjet do të shënojë 250 vjetorin që prej se është krijuar, në atë vitin e largët 1776, dëshiron të shquhet si Donald paqe bërësi.
Bartësi i Projektit MAGA synon që interesat e SHBA-së të jenë sipërore për të gjitha veprimet e tij në rrafshin ndërkombëtar.
Kjo dihet.
Natyrisht, versioni më i mirë i mundshëm, në këtë kontekst është kur interesat strategjik të SHBA-së, ata vetjak pra, dyzohen me interesat e sigurimit të paqes në Botë.
Për këtë shkak, thuaja nuk pati politikan dhe diplomat që nuk përshëndeti arritjen e armëpushimit në Gaza, pas një lufte të lemeritshme dyvjeçare, si dhe ofrimin e një Plani për të ndërtuar paqe në Lindjen e Mesme.
Mbase, nuk ka pasur moment më të volitshëm në historinë e rrëmujshme dhe tragjike të kësaj pjese të Botës se sa tash, për ta bërë paqen afatgjatë në Lindjen e Mesme.
Irani nuk është më faktor i rëndësishëm dhe problematik, teksa ditëve të fundit, ka shenja që telashet rajonale që ishin Made in Iran, po kthehen në vendlindjen e tyre. Dhe mund t’i kushtojë shumë shtrenjtë pushtetit teokratik.
Në anën tjetër, është fare e qartë që nuk mund të arrihet paqja në luftën në mes të Rusisë dhe Ukrainës, të nisur me agresionin e kësaj të parës, në shkurtin e vitit 2022, pa rolin kryesor të Administratës Amerikane dhe Presidentit Trump. Natyrisht, këtu paqja dhe stabiliteti afatgjatë janë të varura nga boshti SHBA – Evropë, të cilin (bosht) dëshiron ta pengojë me çdo mjet të mundshëm Rusia e Vladimir Putinit.
Periudha e ardhshme disamujore duket që do të jetë kritike për ta ndalur luftën në Ukrainë.
Së fundit, Administrata Amerikane ndërmori një veprim që mëton të ketë pasoja larg vajtëse për Amerikën Latine.
Zënia e Nicolas Maduros, tashmë ish-Presidentit të Venecuelës dhe gruas së tij, me aktakuzë për trafikim droge, sipas të gjitha gjasave, do të mund të ketë efekt zingjiror, pos tjerash, me shembjen e një regjimi tashmë të lodhur komunist në Kubë.
Megjithatë, të gjithë këta kapituj të këtij work in progress të Presidentit Trump dhe Administratës së tij, (për përmbushjen e të cilit presidenca amerikane dëshiron t’ia dedikojë 1500 miliardë dollarë në Buxhetin për vitin 2027, sipas fjalëve të fundit të Presidentit Trump), morë një veçori të re ditëve të fundit pas fjalëve të cilat kanë të bëjnë me marrjen eventuale të ishullit të Grenlandës, i cili është nën sovranitetin e Danimarkës.
Krejt çfarë ka ndodhur në këto episodet e kaluara të kësaj ‘serie politike dhe ushtarake’ amerikane, ka bashkuar realisht interesat e SHBA-së me ato të Perëndimit dhe të Evropës.
Por këtu, në rastin e Grenlandës, shfaqet për Amerikën dhe Evropën një sprovë shumë e madhe, e cila mund të ketë pasoja dramatike për Perëndimin si të tillë dhe për Evropën si kontinent.
Është e vërtetë që Amerika mundet ushtarakisht ta merr shumë shpejt Grenlandën.
Por, siç konstatoi saktësisht vet Presidenti Trump, në atë rast do të mund ta humb Aleancën Veri-Atlantike, e cila ndryshe, është krijesë e vet SHBA-së, në vitin 1949, për ta ruajtur paqen në Evropë (dhe jo vetëm).
Pakti NATO është emër i përveçëm i garantimit të paqes në Evropë. Besa, edhe të asaj në këto anë të Ballkanit Perëndimor.
Mund të merret lehtë me mend çka do të ndodhte në Evropë dhe në Ballkan pa te.
●●●
SZSHKRIMI NGA
Sh Z
Editorial nga Klan Kosova — ndjek kolumne dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.