Rrjeti është i ndarë në dysh pasi Dardan Berisha u shpall basketbollisti i vitit nga FBK-ja.
Ka të tillë që e shohin meritor pejanin, por ka të tillë që mendojnë se ky epitet për sivjet i takoi Drilon Hajrizit.
Vetë ky i fundit reagoi mbrëmë me një postim duke e quajtur më shumë se fyerje atë që e konsideron si injorim nga Federata e Basketbollit të Kosovës.
“Kjo që bëri Federata e Basketbollit të Kosovës sot më fyeu gjakun, djersën dhe rezultatet. Sido që të jetë ata e fyen veten! Unë nuk ndalem kurrë! Do të luftoj deri sa të shterem i tëri për Kosovë, për Mitrovicën, për Trepçën!”, ka shkruar mbrëmë Hajrizi.
“Dardan Berisha është lojtar emblematik i Kosovës. Ai është ikonë e Kosovës dhe lojtari më i sukseshëm shqiptar në arenën ndërkombëtare. Vitin e kaluar unë isha më i miri në Superligën e Kosovës", përfundoi ai.
E Berisha sot doli me një postim ku nuk u përfshi në debat, por vetëm falënderoi familjen, federatën, Pejën dhe tifozët.
“Jam shume i lumtur qe pas 21 vite karriere profesionale, vazhdoj të jem inspirim për gjeneratat e reja”, ka shkruar Berisha në Facebook.
Në grupin Merakli t'Basketit ka shumë polemika, ku mbështetësit e Hajrizit argumentojnë që ky i fundit ka qenë statistikisht superior ndaj Berishës në stinorin që lamë pas.
Se meritor është Berisha mendon gazetari Kushtrim Reshitaj i cili tha për Berishën që është lojtari më i mirë në historinë e basketbollist të Kosovës.
“Me kontestu Dardan Berishën pse u zgjodh basketbollisti më i mirë në Kosovë, është njejtë si kur 'ekspertat' e kontestojshin Leo Messin”, ka shkruar Reshitaj.
“Unë s'kam qenë ndonjëherë fans, por meritorëve duhet hequr kapela. Kosova nuk njeh ndonjë lojtar më të mirë në historinë e saj basketbollistike”.
“Çdo vit derisa të pensionohet, këtë çmim ia kisha betonu. Mos u acaroni se nuk u zbulu uji i nxehtë, thjeshtë e fitoi ai që në mënyrë të vazhdueshme ka qenë tjetër nivel".
●●●
LSHKRIMI NGA
L
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.