Aktorja britanike, Audrey Hepburn është e fundit në linjën e legjendave të Hollivudit që së shpejti do të nderohet me një projekt kinematografik të tipit biografik, kushtuar asaj.
Pas lajmeve se Chris Evans do të luajë me Gene Kelly në një film të ri dhe Tom Holland do të ndryshojë kostumin e tij ikonik për të luajtur në një projekt të veçantë, sapo është zbuluar se Rooney Mara do ta përmbyll këtë treshe filmash në një film për yllin britanik.
Projekti ende i paemëruar ka arritur në Apple, me regjisorin e “Call Me By Your Name”, Luca Guadagnino, shkruan Deadline, transmeton Klankosova.tv.
Mara do të jetë gjithashtu producent i filmit, i cili është duke u shkruar nga Michael Mitnick, i cili ka punuar me Guadagnino në filmin e shkurtër të vitit 2019, “The Staggering Girl”.
Deri më tani, nuk ka shumë detaje se çfarë të presim nga filmi. Por,duke marrë parasysh moshën e Maras, historia ka shumë të ngjarë të ndodhë gjatë kulmit të famës së Hepburn, rreth kohës së publikimit të “Breakfast at Tiffany's” dhe “My Fair Lady”.
Një gjë është e sigurt, Mara ka pamjen e përafërt, prandaj nuk do të nevojitet grim i rëndë për ta kthyer Marën në aktoren ikonë, pasi të dyja ndajnë tipare të imta, vetulla ekspresive dhe flokë ngjyrë korbi.
●●●
LGSHKRIMI NGA
L. Ga.
Editorial nga Klan Kosova — ndjek kulturë dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.