Pas eliminimit nga Bologna në Europa League, Roma është rikthyer te fitorja në kampionat, duke mposhtur 1-0 Leccen në sfidën e javës së 30-të të Serie A.
Pjesa e parë u mbyll pa gola, ndërsa takimi u zhbllokua në minutën e 57-të.
Sulmuesi francez Robinio Vaz, i sapofutur në fushë, realizoi me kokë pas një krosimi nga Mario Hermoso, duke i dhënë avantazhin verdhekuqve. Ky ishte edhe goli i parë për 19-vjeçarin me fanellën e Romës, pas transferimit nga Olympique Marseille gjatë merkatos së janarit.
Shifrat mbetën të pandryshuara deri në fund, me Romën që siguroi tri pikë të rëndësishme.
Te Lecce u aktivizua titullar Ylber Ramadani, ndërsa Medon Berisha vazhdon të jetë i dëmtuar.
Pas kësaj fitoreje, Roma renditet në vendin e gjashtë me 54 pikë, në kuotë të barabartë me Juventus dhe tri pikë më pak se Como në vendin e katërt. Lecce mbetet në zonën e rrezikut, në vendin e 18-të me 27 pikë.
●●●
LSHKRIMI NGA
L
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.